Thellohet tragjedia, numri i viktimave shkon në 20, 600 tjerë mbeten të lënduar

Të paktën 20 persona kanë humbur jetën si dhe 600 tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e tërmeteve që goditën Shqipërinë.

Top Channel nga burime brenda prefekturës së Durrësit, raporton se ka shkuar në 20 numri i viktimave, transmeton Klan Kosova.

Kujtojmë se 42 tërmete me magnitudë më shumë se 3 shkallë të Rihterit kanë goditur Shqipërinë brenda 24 orëve të fundit.

————————————————————-

Është thelluar tragjedia në vend, si pasojë e tërmetit, me numrin e viktimave që vijon të rritet duke arritur në 13. Një tjetër person i pajetë është nxjerrë pak minuta më parë nga rrënojat e një prej pallateve të shembura në Thumanë. Bëhet fjalë për një vajzë të mitur.

 

Vajza është viktima e pestë që regjistrohet në Thumanë, ndërsa personat e tjerë që kanë humbur jetën janë nga Durrësi dhe Kurbini.

Ndërkohë, ekipet e shpëtimit janë shpërndarë në zonat e prekura nga tërmeti me magnitutë 6.5.

28 persona janë shpëtuar nga rrënojat e pallateve në Thumanë dhe Durrës, por raportohet gjithashtu për një numër të konsiderueshëm njerëzish që kanë mbetur të bllokuar në rrënojat e godinave të shembura në këto zona.

————————————————————-
Ka shkuar në 8 numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë mëngjesin e sotëm.

Dy persona të pajetë dyshohet ndodhen nën rrënojat një hoteli të shembur në zonën e Golemit.

Tre persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një pallati në Durrës, ku një prej tyre është një vajzë e mitur.

Dy persona të tjerë kanë humbur jetën në Thumanë, ku një pallat është shembur, ndërsa një person humbi jetën pasi ra nga ballkanoni teksa vijonin lëkundjet.

Një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter tronditi Shqipërinë rreth orës 03:54 të së martës. Për pasojë banesa dhe pallate pësuan dëmtime të shumta duke zënë poshtë edhe njerëz. Më pas tërmeti u pasua edhe me lëkundje të tjera të forta.

Nē të gjithë Shqipërinë, në Tiranë, Durrës dhe Krujë, sipas të dhënave paraprake 200 qytetarë po marrin shërbim në spitale. Ekipet mjekësore aktualisht është në gjendje gatishmërie të plotë si në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë.