Të nderuar qytetarë, të dashur bashkëmendimtarë,
Sot Bashkimi Demokratik për Integrim shënon 18 vjetorin e themelimit si subjekti më i madh i shqiptarëve në vendin tonë, trashëgimtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësues legjitim dhe absolut i vullnetit politik të shqiptarëve në dy dekadat e fundit.
Me kënaqësi të madhe dhe krenari për veprimtarinë tonë të përbashkët, ju uroj këtë 18 vjetor të themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, në veçanti të gjithë anëtarëve, bashkëdrejtuesve, aktivistëve, përkrahësve, simpatizantëve, votuesve, bashkëveprimtarëve, aleatëve, por edhe të gjithë qytetarëve të vendit.
18 vjet qëndruam bashkë në çdo sfidë me të cilën u ballafaquam, në procese të panumërta për ta arritur barazinë e plotë, për t’u integruar tërësisht në NATO dhe në Bashkimin Europian, për ta rritur cilësinë e jetës, për të siguruar të ardhmën e rinisë sonë dhe të të gjithë neve.
Sot, të dashur qytetarë, jemi anëtarë fuqiplotë të aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë NATOs, sot jemi vend që negocion me Bashkimin Europian për anëtarësim të plotë në familjen e madhe të kontinentit tonë, sot jemi me barazi të plotë gjuhësore dhe me zbatim të plotë të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, me tre universitete në gjuhën shqipe, me shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, institucione, sot instaluam parimin e konsensualitetit edhe në vendimmarje edhe në përzgjedhje si dhe drejtuam si shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi kuvendin, ministritë e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, avokatin e popullit dhe të shtetit, gjykatat supreme dhe kushtetuese, por akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe.
Të gjitha këto i mundësoi besimi juaj i palëkundur në të gjitha proceset zgjedhore, parlamentare, lokale, presidenciale, referendume gjatë 18 viteve që nga 5 qershori i vitit 2002.
Të nderuar,
viti që po lëmë pas shënoi edhe mbajtjen e Kongresit të katërt spektakolar të Bashkimit Demokratik për Integrim, kongresit të ndryshimeve të mëdha në vigjilje të 20 vjeçarit vijues të organizatës tonë politike.
Kongresit i parapriu një proçes ambicioz i tërësishëm i riregjistrimit të anëtarësisë ku për herë të parë u aplikua vetingu brendapartiak, për të vijuar më pastaj me zgjedhjet në të gjitha këshillat vendorë dhe degët e BDIsë ku u zgjodhën mbi 90% të kryetarëve të rinjë në qindra këshillat tonë vendor dhe afërsishtë 100% të kryetarëve të rinjë të degëve, me përfaqësim të garantuar dhe cilësor të grave në të gjitha organet. Kongresi gjithashtu zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm të ri me mbi 70% të anëtarëve të rinj dhe me mbi 40% përfaqësim të grave, ndërsa themeloi edhe organe të reja që garantojnë qëndrueshmërinë, konzistencën dhe jetëgjatësinë e subjektit tonë si Kongresi i vazhdimësisë, Këshilli Kombëtar dhe Komisioni Qëndror Zgjedhor.
Me ndryshimet statutare, për herë të parë një parti politike në vend e më gjërë themelon funksionin e Sekretarit për Mundësi të Barabarta, ndërsa në Deklaratën e Misionit të vet përcaktohet me frymë të solidaritet për c’rrënjosje të pabarazisë dhe përqëndrimit nga të paktët tek të shumtët duke ndërtuar shoqëri të mirëqenies, me shërbime publike dhe institucione të përgjegjshme dhe cilësore, me arsim, shëndetësi, rroga dhe pensione dinjitoze duke u përkujdesur për të gjitha kategoritë e shoqërisë dhe duke siguruar progres social nëpërmjet të përfshirjes së çdo njëriu dhe çdo vendbanimi
Nuk ri dot pa e thënë, edhe në këtë përvjetor, që alternativa në skenën politike shqiptare është përçarja e votës dhe plogështimi i vullnetit politik shqiptarë në parti të shumta që rrjedhin nga ndarjet dhe shkëputjet, e jo nga vullneti qytetarë dhe me synim për të bërë mirë. Çdo herë e përsëris që nuk na nevojitetit defaktorizimi i shqiptarëve nëpërmjet të copëtimit të votës shqiptare në aq shumë parti dhe me përfaqësim me nahi e jo tërësi. Hidhjani një sy vetëm takimeve të ashtuquajtura të liderëve dhe mos e harroni atë ndjesi që ua krijon ajo fotografi.
Ky përvjetor na gjen në kohë pandemie të pashembulltë në historinë e planetit tonë e cila ka marrë aq shumë jetë dhe ka prekur me miliona njerëz, pa mos e përjashtuar edhe vendin tonë. Ne të gjithë bashkarisht jemi në këtë betejë, pa dallime etnike, kulturore, fetare, shtetërore, dhe prandaj bashkë dhe pa asnjë përjashtim duhet ti përmbahemi dhe ti respektojmë masat e kujdesit në mënyrë që ti kthehemi normalitetit dhe jetës së përditshme.
Të nderuar bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë,
Në përvjetorin tonë të 18, kur sa po filluam ndërtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim, kemi më shumë nevojë se çdoherë për njëri tjetrin, për solidaritetin brenda organizatës, për shtrirjen e dorës së bashkëpunimit dhe mbështetjes, për besimin që do t’ia dalim sepse diçka e madhe po vjen para nesh, diçka që do të kërkon kontributin e gjithësecilit prej nesh.
Të dashur qytetarë,
Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, Bashkë u përballuam me çdo sfidë dhe i besuam njëri tjetrit, Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkarisht edhe qëllimin tonë të rradhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkarisht për KRYEMINISTRIN E PARË SHQIPTAR!!!
Në çdo përvjetor përcaktojmë synime ambicioze dhe me kohë, ato i realizojmë, prandaj gëzuar miq dhe na priftë e mbara drejt realizimit të qëllimeve tona të përbashkëta.
- Vëllazërisht,
Ali Ahmeti