Qyteti simotër i Tuzit, Rochester Hills nga shteti amerikan Michigan, në krye me kryebashkiakun (Majorin) Bryan Barnett, ka siguruar një kamion për mbeturina i cili do të përdoret nga SHPK Komunale në Tuz.
Kamioni është donacion i çmuar, sidomos në këtë kohë kur SHPK Komunale është në mungesë të mjeteve, shkaktuar nga ngërçi i ndarjes së pronës në mes të Komunës së Podgoricës me Komunën tonë.
Njoftimin për këtë donacion e ka bërë kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe” në Michigan, Ruzhdi Gjokaj.
“Donacioni nga qyteti motër Rochester Hills për qytetin e Tuzit tani në duart tona. Faleminderit Majorit Bryan Barnett për këtë dhuratë shumë të madhe. Dua te falënderoj zotin Prenk Ivezaj dhe drejtorin e SHPK Nikollë Camaj të komunës së Tuzit për ndihmë që më kanë dhanë gjatë këtij procesi të behet realitet”, ka shkruar Gjokaj.
Kjo nuk është hera e parë që qyteti Rochester Hills bën donacion drejtuar Malësisë. Në vitin 2009 nga ky qytet për shkollat e Malësisë, u dorëzuan materiale për zhvillimin e arsimit me vlerë e cila kalonte 10.000 dollar amerikan.
Përndryshe, binjakëzimi në mes të Rochster Hills dhe Komunës së Tuzit, atëherë Komuna urbane e Tuzit, u bë në vitin 2006.
/MALESIA.ORG/