Kamberi: Gjykata ka hedhur poshtë padinë kundër Vullinit për termin “shiptari”

Deputeti shqiptar i parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Gjykata e Lartë në Beograd e ka hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vullin.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa vitin e kaluar pati njoftuar se padia është ngritur për shkak të “gjuhës së urrejtjes” përkatësisht përdorimit të termit pezhorativ “shqiptari” nga ana e Vullinit.

Ndërsa deputeti shqiptar, Kamberi tha përmes një postimi në Facebook se refuzimi i gjykatës për të shpallur fajtor Vullinin “i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”.

Kamberi ka ftuar autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit “për ta ndaluar institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj pakicave në Serbi”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, edhe në kohën kur ka qenë ministër i Mbrojtjes, disa herë në paraqitjet e tij e ka përdorur termin pezhorativ “shqiptari”. Vullin iu kishte përgjigjur kritikave për përdorimin e këtij termi, duke thënë se “ai do të vazhdonte t’i quante shqiptarët ashtu siç e quajnë ata veten”.

Për përdorimin e këtij termi është zhvilluar një proces gjyqësor në Serbi.

Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd mbi padinë e Anita Mitiq, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit “Informer”. Gjykata sanksionoi përdorimin e termit “Shiptar” si gjuhë urrejtjeje. Ekziston edhe mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, sipas së cilës, thirrja e popullit shqiptar “Shiptar” është nënçmuese dhe fyen anëtarët e asaj kombësie.

Ajo gjashtë vjet më parë paraqiti mendimin se dy tabloide në Serbi, shkelën Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit sepse ata i quanin shqiptarët “Shiptari”.