Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, për mediet serbe tha se ai kurrë nuk do ta kishte pranuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Sikur do të isha qenë Kryeministri i Malit të Zi në kohën para se Mali i Zi e kishte njohur Kosovën, nuk do të kisha dhënë kurrë pëlqimin tim që të ndodhte kjo. Por, gjithçka kishte mbaruar para se të vija unë në qeveri”, deklaroi Krivokapic.
Ai tha se vendimi eventual i tij për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, do të rezultonte me rrëzimin e Qeverisë së tij, në seancën e parë të Kuvendit. Në këtë mënyrë, sipas tij, DPS do të kthehej në fuqi dhe do ta kthente të njëjtin vendim për Kosovën.
Krivokapic tha se për Malin e Zi, Serbia është partneri më i rëndësishëm.
“Serbia është një vend me të cilin jemi të lidhur nga historia dhe tradita. Qeveria e udhëhequr nga DPS nuk e kishte atë pikëpamje për Serbinë, siç dëshmohet nga numri i vizitave të ndërsjella të zyrtarëve të Serbisë dhe Malit të Zi. Qytetarët e vendeve tona duan atë bashkëpunim, dhe ne si qeveri të përgjegjshme duhet të dëgjojmë se çfarë po na thotë populli ”, tha Krivokapic.
/MALESIA.ORG/