Sot në ambientet e Komunës së Tuzit u bë dorëzimi i dhuratës nga Turqia të automjetit për grumbullimin e mbeturinave i cili do të përdoret për nevojat e SHPK “Komunalno/Komunale”.
Automjeti u dorëzua nga ambasadorja e Turqisë, Songul Ozan dhe Abdurrahman S. Topraku, koordinatorit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkombëtar – TIKA.
Në shkurt të këtij viti kryetari i Komunës së Tuzit Z. Nik Gjeloshaj, nënshkroi protokollin e bashkëpunimit me Agjencinë Turke.
Me këtë protokoll, Komuna fitoi automjetin në kuadër të projektit – Rregullimi i ambientit dhe heqja e mbeturinave në Komunën e Tuzit.
Teksa përgëzoi kryetarin Gjeloshaj për punën dhe mënyrën e organizimit të Komunës, ambasadorja Ozan shtoi se, automjeti është dhuruar për të mbështetur qytetarët e Komunës së Tuzit dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
“I jam shumë falënderues dhe mirënjohës ambasadores dhe koordinatorit të Agjencisë – TIKA për donacionin. Ky gjest bujar për Komunën tonë paraqet edhe një hap pozitiv në marrëdhëniet mes Republikës së Turqisë dhe Komunës së Tuzit, ku jam i sigurt se bashkëpunimi i dyanshëm do të vazhdoi edhe në të ardhmen.” – u shpreh Gjeloshaj në fjalën e tij.
Në shenjë falënderimi, kryetari Gjeloshaj, i akordoi mirënjohje Z. Abdurrahman S. Topraku, koordinatorit të Agjencisë Turke TIKA, kurse nënkryetari Z. Haris Ramoviq u dhurojë librin “Tuzi dhe tuzjanët nëpërmjet fotografisë dhe kohës ”.
Gjatë dorëzimit të automjetit, të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit, Z. Fadil Kajoshaj, nënkryetarët e Komunës së Tuzit, Z. Ivan Ivanaj dhe Z. Haris Ramoviq së bashku me drejtorin e SHPK “Komunalno/Komunale” , Z. Nikollë Camaj. /MALESIA.ORG/