Ilir Camaj: Do të japim maksimumin për fitore kundër Dritës

Sulmuesi i KF Deçiqi, Ilir Camaj, shprehet se janë të gatshëm dhe do të japin gjithçka që të fitojnë ndeshjen kundër KF Drita dhe të kalojnë në gjiron e radhës.

Në ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Deçiqi humbi kundër Dritës me rezultatin 2-1. Ishte sulmuesi i Deçiqit, Ilir Camaj, ai i cili shënoi që në minutën e 3-të të ndeshjes, mirëpo Drita barazoi disa minuta më vonë, ndërsa në pjesën e dytë të ndeshjes shënoi edhe golin e dytë.

“Në Prishtinë e nisëm ndeshjen shumë mirë. Shënuam gol në minutat e parë të ndeshjes, mirëpo disa minuta më vonë, sipas mendimit tim, arbitri mundi të na jepte një penallti, por për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe nga ajo situatë ekipi i Dritës përfiton dhe na shënon golin e barazimit”, shprehet për Malesia.org sulmuesi i KF Deçiqi, Ilir Camaj.

Në ndeshjen e parë u vëren tensione e momente nervozizmi, gjë që shpesh janë pjese e lojës. Camaj sqaron se ishte në pyetje fair-play nga disa lojtarë.

“Në Prishtinë jemi pritur mirë. Gjatë ndeshjes ishin disa situata kur lojtarët tonë ishin të dëmtuar, ndërsa lojtarët e Dritës kishin mundësi të largojnë topin jashtë fushës, mirëpo ata nuk e bënë atë gjë, por kjo është pjesë e lojës”, thotë Camaj.

Ndeshja e kthimit luhet në Podgoricë, të ënjtën, më 15 korrik, ndërsa Camaj paralajmëron se do të japin gjithçka që të fitojnë dhe të kalojnë në gjiron e radhës të Europa Conference League.

Ai shprehet se kanë dëshmuar se janë në të njëjtin nivel, por që në ndeshjen e kthimit Deçiqi do të ketë përparësi, pasi që do të luaj në praninë e tifozëve vendas.

“Në Podgoricë do të japim maksimumin tonë, do të japim gjithçka që të fitojmë ndeshjen dhe të kalojmë më tej”, thotë Camaj.

Në ndeshjen kundër Dritës, ekipi ynë veshi fanellat e reja me ngjyra kuq e zi, gjë e cila u prit mirë nga opinioni.

Në pyetjen tonë nëse ky version i fanellave do të jenë fanellat zyrtare të KF Deçiqi, Camaj shprehet se nuk e dinë por që do të donte që ato të jenë fanellat zyrtare të ekipit.

“Është hera e parë që luajmë me fanellat kuq e zi. Të them të verteten nuk e di a do të jenë ato fanellat zyrtare, por do doja të jenë”, shprehet për Malesia.org, Ilir Camaj.