Numri i parë i revistës filozofike franceze “NOOR” hapet me intervistën e shkrimtarit Ismail Kadaré dhe një tregim të Ylljet Aliçkës. Janë dy shqiptarë që zënë një vend me rëndësi në një botim të çdo përgjashtëmuajshëm, në një revistë të themeluar nga një grup i njohur intelektualësh francezë.
Në intervistën e tij Kadare ndër të tjera thekson se “Shqipëria nuk do kishte ekzistuar, nëse ne nuk do kishim tolerancën mes myslimanëve dhe krishterëve” dhe se “ishte jeta jonë e vështirë që na bëri të kuptojmë logjikën dhe nevojën e tolerancës”.
Revista gjashtëmujore “NOOR” u shfaq suksesshëm këtë pranverë si një ide e një grupi filozofësh të njohur si Malek Chebel, Mark Ferro, etj, me synimin “të nxisë debate dhe reflektime mbi spiritualizmin dhe laicitetin, mbi racizmat dhe radikalizmat në ngjitje, sinjale këto të një bote që po vdes nga frika dhe që ushqehen gjithnjë e më shumë nga absolutizmi i mendimit dhe nga humbja e pasioneve kolektive”.
Vendi juaj, nën regjimin e Hoxhës ishte i vetmi vend mbi planet që u deklarua krejtësisht ateist, duke frenuar të gjitha fetë. Cila ishte arsyeja e kësaj mase të jashtëzakonshme. Si reagoi populli shqiptar? Po ju vetë, si e përjetuat zhdukjen e Zotit me dekret?
Hoxha e justifikonte vendimin e tij, si përgjigje ndaj “kërkesës” së rinisë shqiptare. Kur e vuri në jetë këtë vendim në vitin 1968, ai përfitoi nga konteksti i lëvizjeve të atij viti në disa vende europiane, koha e lëvizjeve studentore dhe e revoltave sociale, ku ndër të tjera pati dhe lëvizje kundër kishës.
Hoxha u përpoq ta justifikonte si një lëvizje progresiste. Edhe sot, unë ende nuk e kuptoj arsyen e vërtetë të këtij vendimi.
Apo mos ndoshta kjo ishte një çmenduri e pastër e Hoxhës, një trill i një diktatori megalomaniak? Apo mos ndofta donte të imitonte “miqtë tanë” kinezë, në mënyrë që të fitonte simpatinë e tyre? Kush e di?
Si reagoi populli? U rebelua për t’i mbrojtur këto vende kulti?
Populli pothuajse nuk reagoi. Njerëzit kishin probleme të tjera, jeta e përditshme ishte tmerrësisht e vështirë. Kishat dhe xhamitë ishin braktisur prej 20 vjetësh më parë në diktaturë.
Ju vetë, prindërit tuaj ishit të besimit bektashi. Si e përjetuat këtë diktat?
Unë jam rritur në një shtëpi intelektualësh. Nuk shkonim as në xhami, as miqtë tanë të krishterë nuk shkonin në kishë.
Një ndër krenaritë tona të rralla është bashkëjetesa paqësore e tri besimeve, shprehje e një tolerance fetare të jashtëzakonshme.
Nuk do desha të them se kjo është rezultat i një pjekurie specifike shqiptare, ne nuk jemi më të ndriçuar se të tjerët.
Ndofta ishte rezultat i jetës së vështirë, që na bëri të kuptojmë logjikën dhe nevojën e tolerancës.
Edhe para ardhjes së turqve ne ishim mësuar me bashkëjetesën e dy besimeve të krishtera. Më pas u bënë tri besime, s’kishte arsye të ndryshonim.
Pse u konvertuan shqiptarët me ardhjen e ushtrisë otomane?
Një pjesë e popullsisë së varfër, u detyrua të konvertohej me dh.unë.
Disa të tjerë ndërruan kamp për arsye ekonomike, disa të tjerë për një fenomen tepër të rëndësishëm për shqiptarët, pasi vetëm një mysliman kishte të drejtë të mbante armë.
Shqiptari ishte para dilemës: si do mundte ai të mbronte dinjitetin e familjes së tij pa armë? Ndodhte që një vëlla i po të njëjtës çati konvertohej dhe një tjetër jo.
Pra, psikologjikisht ne ishim të përgatitur ndaj një jete sociale të tolerancës.
Por pushtimi otoman nuk krijoi asnjë liri, pavarësisht iluzioneve, duke nxitur konfliktet mes klaneve. Feudalët ishin “të lirë” të bënin Iuftë mes tyre.
Sot, nëpërmjet fesë së Islamit, Turqia përpiqet përsëri të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës sociale. Perandoria otomane duket se po rivjen në një tjetër formë.
Pas rënies së diktaturës, fetë e mëdha, nëpërmjet emisarëve të tyre u përpoqën të riinvestojnë shoqërinë shqiptare?
Ka tendenca radikalizimi dhe kjo s’është gjë e mirë. Prej mbi 20 vjetësh shoqëria shqiptare përpiqet të rindërtojë identitetin e saj kulturor, social e politik, që i përshtatet.
Por pavarësisht mjaft rindërtimeve të xhamive apo kishave, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim të rëndësishëm në zakonet e bashkëpatriotëve të mi.
Nga ana tjetër, disa madje tentojnë të rishkruajnë historinë tonë duke minimizuar veprën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që sipas meje duhej të ishte përfshirë në historinë europiane. Padyshim që politika kërkon të përfitojë nga gjithfarëlloj radikalizmash, fundja si kudo.
Ju vetë jeni shënjuar nga literatura antike dhe mitologjitë helenike. Atëherë çfarë influencash keni pasur?
Letërsia më ka mbrojtur nga çdo influencë, ideologjike apo fetare. Ashtu dhe populli im, i cili ka të tjera probleme për t’u ndikuar.
Ne shqiptarët jemi popull i emancipuar, ndofta më i emancipuari në botë. Europa duhet ta marrë seriozisht në konsideratë tolerancën tonë.
Ajo duhet ta mbrojë dhe mbështesë vendin tonë, pasi ne përfaqësojmë një shembull unik dhe tepër të çmueshëm.
Çfarë rreziku paraqet në vendet e Europës Lindore “nacionalizmi” i ri?
Patriotët shqiptarë, shumë përpara se Shqipëria të ekzistonte si komb, kanë zgjedhur Marsejezën si himnin e ardhshëm kombëtar, pasi ajo simbolizonte lirinë, vëllazërinë, barazinë.
P.Hajnrih Bël ka thënë “Gjuha ime është djepi im”. Nëse ju zëvendësoni termin djep me komb, atëherë nuk është i njëjti kuptim?
Në diktaturë, liria e vetme që i mbetet një shkrimtari është gjuha e tij. Për këtë arsye ne lexonim male me libra. Për pasojë realiteti zhdukej pas këtyre librave.