Nga Gjekë Gjonaj
Komunistët shqiptarë nuk kursyen nga pushkatimi as Nikë Marash Micakaj, nga fshati Bëkaj i malit të Trieshit. Mëkati i tij i vetëm , për të cilin u vra , ishte se e deshi me gjithë shpirt shtetin amë – Shqipërinë Etnike.
Këtë martir të demokracisë dhe lirisë, e vranë forcat ushtarake komuniste shqiptare pa gjyq dhe pa faj në moshën 32 – vjeçare në muajin maj të vitit 1946, diku rrënxë malit të Deçiqit. Atij paraprakisht ushtria komuniste i rrethon shtëpinë dhe në befasi e arreston në Bardhaj, vend në brigjet e lumit Cem, në mes të Grabomit dhe Tamarës. Familja u vesh me të zeza pasi u vra, para togës së pushkatimit nga xhelatët komunistë të udhëhequr nga famëkeqi toger Baba, ky luftëtar trim i pamposhtur, i cili asnjëherë nuk u dorëzua në rrugën e tij. Ajo ditë mizore e 76 vjetëve më parë , ditë e zezë e majit 1946, do të mbetet plagë e rëndë e pashëruar përgjithmonë për familjarët, farefisin, Trieshin dhe krejt Malësinë.
Trieshjani, Nikë Micakaj, i njohur në Kelmend si Nikë Marash Ujka, ndërsa në vende tjera si Nikë dajaku, i dashuruar me Shqipërinë, ishte ndër ata nacionalistë malësorë ( shqiptarë) të angazhuar maksimalisht për bashkimin e trojeve etnike. Ishte njëri prej atyre burrave malësorë që ishin betuar për të mos e lënë komunizmin të instalohej në Shqipëri, i bindur se përfundimisht kjo ideologji do të ndrydhë dhe do të shkatërrojë personalitetin e njeriut.
Ky djalë i ri , e patriot, për asnjë çast dhe asnjëherë nuk iu tremb kërcënimeve as të komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës, as atyre serbo-malazez të Josip Broz Titos, të cilët në atë kohë bashkëpunonin ngushtë njëri me tjetrin në ushtrimin e dhunës, torturës dhe ekzekutimit pa gjyqe, të nacionalistëve shqiptarë dhe familjeve të tyre të cilat nuk mbështesnin regjimin ( shtetin ) komunist.
Historia e këtij antikomunisti nuk u mbyll me vrasjen e tij. Eshtrat i janë zhdukurndoshta përgjithmonë. Varri i këtij luftëtari trim të “ harruar” nuk dihet as sot e kësaj dite, sikur i shumë malësorëve të tjerë të cilët derdhën gjakun e tyre nga kriminelët e kuq, sepse e donin Malësinë dhe Shqipërinë Etnike të lirë dhe të çliruar nga pushtuesit komunist, të cilët interesoheshin vetëm për interesat dhe pozitat e tyre e jo për lirinë e tokave shqiptare.
Bazuar në fakte dhe në dosjen familjare Nikë Micakaj u lind në vitin 1914, në fshatin Bëkaj të Trieshit. Ishte djali i dytë i prindërve, Marash dhe Katrinës( e lindur Bojaj). U rrit dhe u edukua në një familje me ndjenja te larta kombëtare dhe burrërore. Që në fëmijëri u brumos dhe u formua, duke dëgjuar rrëfime nga babai, gjyshi dhe axhët, për trimërinë dhe bujarinë e njohur në trojet shqiptare të vëllazërisë së Bëkajve të Trieshit. Qysh në rini u shqua nga moshatarët për trimëri dhe zgjuarsi, por edhe për talentin që kishte për qitje me armë zjarri. Pikësynim kishte të arrijë suksesin e gjyshit, Ujkë Gjonit, i cili e bëri popin e kishës serbe t’i mallkoj kuçasit pas disfatës që pësuan ata disa herë në sulmet e tyre hakmarrëse ndaj fisit Micakaj. Arsyeja e këtij mallkimi ishte frika e secilit kuças që nisej për t’u hakmarrë ndaj Micakajve se do të vritej. Këtë e dëshmon më së miri rapsodi popullor përmes këtyre vargjeve:
“…Ujk Gjon Cuku djal i ri
Nikë Micakajn në vitin 1935 e mobilizojnë në ushtri. Si ushtar e çojnë në Kotorr. Atje, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, takohet me një ushtar jugosllav, të cilin e kishin transferuar (larguar) nga Kazerma Ushtarake në fshatin Poprat ( Triesh) , ku ai kishte vrarë kushëririn e Nikës, ZefPurin Micakaj, në prag të derës së shtëpisë së tij. Pas një kohe ushtari vrasës, fillon t’i lavdërohet Nikës se e ka vrarë një shqiptar, Zef Purin, në vendlindjen e tij . Nika me zemërim të thellë e mllef të madh i përgjigjet rrëmbyeshëm: “ O katil i pashpirt e mizor, ti paske vrarë vëllain tim.” Me shpejtësi nxori armën dhe e laushtarin gjakatar të vdekur në vend. Me shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë që kishte arriti të ik dhe t’u shpëtoj breshërive të plumbave të ushtarëve jugosllavë . Së pari ndalet në Ulqin, prej ku shkon në Shkodër. Atje u bashkëngjitet çetave vullnetare kryengritëse nacionaliste e antikomuniste të Malësisë së Madhe.
Ky pishtar i lirisë merr pjesë aktive me pushkë në dorë në kryengritjet që u zhvilluan në Kelmend e krahina tjera të Malësisë së Madhe kundër forcave të ndjekjes partizane jugosllave – shqiptare. Luftoi me trimëri deri në vdekje për çlirimin e trojeve shqiptare nga kthetra komuniste, bashkë me prijësin popullor të Kelmendit dhe mbrojtësin e kufijve të Vermoshit nga aspiratat serbo-malazeze, Prekë Calin dhe bashkëluftëtarët e tjerë trima e të paluhatshëm në kryengritje, në të cilën u dënuan me vdekje ( pushkatim), u vranë mizorisht , u burgosën dhe u shpërngulën në kampet e internimit të Kavajës, të Tepelenës, të Volçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia.
Ky trim sypatrembur dhe viktimë e regjimit komunist duhet të mos harrohet kurrë nga populli fisnik i Malësisë së Madhe, e as nga historia e cila do të duhej ta njohë si dëshmor e atdhedashës.