Shqipëria konfirmon dërgimin e trupave “Komando” në Kosovë

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë tha të premten se ka nisur për në Kosovë një grup prej 30 efektivës komando nga Forcat e Armatosura.

Ky kontingjent do t’i bashkohet forcave të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se ky mision në Kosovë do të kontribuojë për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, teksa janë rritur tensionet pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Në këto ditë të sfiduara të paqes dhe sigurisë globale kjo e shton dyfish e rrit vëmendjen, por edhe përgjegjshmërinë e secilit prej nesh e secilit prej jush për të shërbyer me profesionalizëm, me disiplinë ushtarake, me dinjitet në respektim të kodit të etikës dhe të vlerave të aleancës tonë”, tha ai sipas një komunikate të Ministrisë së Mbrojtjes.