Në Tuz bëhet përurimi i librave të autorit Hajrullah Hajdari

Më 20 maj 2022, në QKI “Malësia” – Tuz, u bë përurimi i librave të autorit Hajrullah Hajdari.

Përurimi i librave “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri në vitin 1941”, “Ulqini në dokumentat malazeze nga viti 1880 deri më 1915”, “Pronat dypalëshe – të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi” dhe “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990” të autorit Hajrullah Hajdari, u organizua nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Qendra Kulturore-Informative “Malësia”-Tuz.

Në emër të botuesit dhe organizatorit të përurimit të librave, të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ndërsa për librat folën: Dr. Nail Draga, Robert Camaj, Mark Junçaj, si dhe autori Hajrullah Hajdari, nën moderimin e regjisorit Idriz Gjokaj.

Hajrullah Hajdari ka lindur në Bobosht të Krajës, buzë Liqenit të Shkodrës në vitin 1949, ku ka kryer edhe shkollën fillore.

Shkollën e mesme ekonomike e ka kryer në Gjakovë, ndërsa shkollën e lartë Administrative e pastaj Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Nga viti 1969 deri në vitin 1974 ka punuar në Krajë, Gjakovë e Prizren.

Në vitin 1975 u kthye në Ulqin dhe punësohet.

Nga viti 1990 ka ushtruar detyrën e drejtorit në disa ndërmarrje publike në Ulqin. Për 20 vite rresht ka qenë këshilltar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në Kuvendin e komunës së Ulqinit. Po ashtu ka qenë anëtar i disa trupave të punës dhe organeve juridike në Kuvendin e Malit të Zi.

Është autor i katër librave.

Malesia.org