Abazoviq thotë se URA do të votojë për shkarkimin e Djukanovic-it


Partitë shqiptare nuk janë deklaruar nëse do të votojnë për shkarkimin e Milo Djukanovic.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se Kuvendi duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit, Djukanovic.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo do të dërgonte një mesazh të rëndësishëm politik.

Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Djukanovic.

Ata pretendojnë se Djukanovic ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

“Tashmë jemi një shumicë e sapo-konstituuar, e cila mbështet formimin e një Qeverie të re, por është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, që kanë vizione të ndryshme. Zgjidhja me siguri do të vijë në zgjedhje, por nuk është presidenti ai që do të vendosë se kur do të zhvillohen ato zgjedhje”, tha Abazoviq.

Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviqit, më 20 gusht, tri partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Lekic të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve – sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.

Gjukanoviq e refuzoi propozimin që Llekic të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, me arsyetimin nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.

Ai në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Partitë e shumicës parlamentare kundërshtuan zgjedhjet e reja dhe vazhduan të këmbëngulin që Djukanovic duhet ta pranojë Lekiqin si mandatar, dhe një ditë pas përfundimit të afatit i dorëzuan 41 nënshkrimet e tyre në mbështetje të kandidaturës së Lekic-it.

Abazoviq tha në intervistë se ka diskutuar edhe me zyrtarë amerikanë edhe “akuzat se Rusia financoi fshehtas Frontin Demokratik në vitin 2016 dhe ndoshta në 2018”.

Ai tha se financimi i paligjshëm i partive politike duhet të jetë pjesë e agjendës në luftën kundër korrupsionit.

Më 14 shtator, SHBA-ja tha se Rusia financoi fshehurazi parti në Shqipëri, Bosnje e Mal të Zi

Raporti përmend financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për zgjedhjet e vitit 2018, si dhe fonde për partinë pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik.

 

/REL/MALESIA.ORG/