Memorandumi i 1992-shit mbetet referencë për statusin e shqiptarëve në Mal të Zi


Miratimi i Memorandumit për status special të shqiptarëve në Mal të Zi, tridhjetë vite më parë (1992-2022), paraqet dokumentin më të rëndësishëm të shqiptarëve në këtë mjedis për avancimin e të drejtave të tyre qytetare e kombëtare. Por, nëse analizojmë kërkesat e shënuara në këtë dokument, del që shqiptarët janë të zhgënjyer, sepse përveç arritjes së statusit të komunës së pavarur për Malësinë (Tuzin), kërkesat tjera kanë mbetur të pa realizuara në mungesë të vullnetit politik të pushtetit, ku pa përgjegjësi nuk janë as partitë politike të shqiptarëve të cilat duke qenë pjesë e pushtetit qendror (1998-2020), kanë dështuar në avancimin e barazisë qytetare e nacionale të shqiptarëve në këtë mjedis.

Shkruan: Nail Draga

Viti 1990 paraqet datë të veçantë, sepse në këtë vit u zyrtarizua rënia e sistemit monist, përkatësisht miratimin e pluralizmit, ku edhe për shqiptarët u paraqit rasti për vetorganizim politik. Fillimisht falë angazhimit të një grupi intelektualësh dhe aktivistësh të ndryshëm, në Ulqin u themelua Forumi Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi (26.8.1990). Formimi i këtij subjekti jopolitik i papapriu themelimit të Këshillit inicues të subjektit të parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, që u mbajt në një shtëpi private në Kodra të Ulqinit po atë ditë (26.8.1990), që më pas u zyrtarizua me Kuvendin themelues në Tuz, më 9.9.1990 me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ).

Votimi plebishitar i shqiptarëve
Në zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi (9.12.1990), shqiptarët përkrahën në mënyrë plebishitare LDnëMZ-në, sepse ajo më tepër kishte karakterin e një Lëvizjeje kombëtare se sa të një subjekti politik. Së bashku në koalicion me partinë e boshnjakëve (SDA), nga gjithsej 12 deputetë, shqiptarët fituan 4 deputetë, të cilët ishin përfaqësuesit e parë autentikë në Kuvendin e Malit të Zi. Këta deputetë për të parën herë në foltoren e Kuvendit prezantuan kërkesat e shqiptarëve, duke njoftuar opinionin e gjerë se shqiptarët nuk pranojnë pabarazinë, por do të angazhohen për barazi qytetare e nacionale sipas standardeve ndërkombëtare.

Dokumenti i parë për statusin e shqiptarëve
Ngjarje e veçantë për shqiptarët në Mal të Zi u shënua në vitin 1992, sepse përmes Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, u organizua mbledhja e cila u mbajt më 22 gusht dhe vazhdoi më 12 shtator 1992, ku u miratua teksti i Memorandumit për statusin special të shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e kanë nënshkruar 39 pjesëmarrës me kryetar z. Gjergj Gjokaj. Ashtu siç pritej, një akt i tillë u mirëprit nga subjektet shqiptare anekënd hapësirës etnogjeografike shqiptare, ndërsa u sulmua nga subjektet politike në Mal të Zi, qofshin ato nga pozita apo opozita, ku përjashtim bënte vetëm partia e boshnjakëve (SDA).
Memorandumi kishte vlerë të veçantë jo vetëm për momentin por edhe më pas, sepse ky ishte dokumenti i parë për shqiptarët në pluralizëm, i miratuar në mënyrë publike nga një subjekt jopolitik. Në të janë paraqitur në mënyrë taksative kërkesat e shqiptarëve në lidhje me pozitën dhe statusin e tyre në kuadër të Malit të Zi. Një veprim i tillë ishte logjik, sepse në hapësirën e ish-Jugosllavisë popujt e ndryshëm kishin dalë në opinion me kërkesat e tyre politike, madje disa për statusin e tyre kanë organizuar edhe referendume. Andaj, edhe deklarimi i shqiptarëve përmes Forumit nuk ishte risi, por realitet i situatës politike në vend.
Memorandumi është paraqitur në formë të amandamentit edhe në Kuvendin e Malit të Zi nga deputetet shqiptarë, por ai u majorizua nga shumica parlamentare e pushtetit. Ndërsa me rastin e miratimit të Kushtetutës së Malit të Zi (1992), deputetët shqiptarë e cilësuan atë të papranueshme dhe e lëshuan mbledhjen e Kuvendit.
Pasi për ish-Jugosllavinë kishin filluar takimet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje optimale, në ato konferenca tash mund të merrnin pjesë shqiptarët nga Mali i Zi me dokumentin përkatës, që paraqiste kërkesat optimale për zgjidhjen e statusit të tyre, e ky ishte Memorandumi i 12 shtatorit i vitit 1992. Me këtë dokument shqiptarët ishin palë dhe partnerë në bisedime, sikurse ishin të ftuar nga organizatorët në Konferencën e Gjenevës për ish-Jugosllavinë, që fatkeqësisht ishte takimi i parë dhe i fundit.

Statusi special apo autonomia bashkëkohore
Statusi special ishte një modifikim terminologjik për autonominë bashkëkohore që e ka burimin nga faktori ndërkombëtar (anglezët), i cili ishte kyçur për të zgjidhur statusin e serbëve në Kroaci. Të nxitur nga një situatë e tillë, autonomia u bë kërkesë për pjesëtarë të shumë popujve në ish-Jugosllavi, ku as shqiptarët në Mal të Zi nuk ishin përjashtim, sepse ajo është forma më optimale praktike e barazisë nacionale dhe qytetare në mjedise të caktuara.
Ndërsa, disa ditë pas miratimit të Memorandumit, për shkak të efikasitetit praktik, Forumi në një mbledhje të veçantë formoi Këshillin për realizimin e Memorandumit, me kryetar avokatin Mustafa Çapuni, i cili do të merrej enkas me organizimin e takimeve dhe formimin e komisioneve të ndryshme për elaborimin e çështjeve përkatëse që ishin pjesë e kërkesave të prezantuara. Por, punët nuk shkuan ashtu siç ishin paraparë, sepse që nga fillimi ekzistonte animozitet dhe refuzim nga ana e LDnëMZ(!). Andaj, për të mos krijuar paralelizëm dhe për të mos dalë qesharak para opinionit, pas pesë takimeve, Këshilli i sapoformuar e ndërpreu veprimin e vet. Dhe nga një gjendje e tillë plot animozitet dhe atavizëm politik, Forumi nga një aktivitet dinamik kaloi në pasivitet të plotë, duke e ndërprerë aktivitetin tërësisht më pas.

Referendumi pa kërkesa të shkruara
Se shqiptarët ishin e janë të pakoordinuar dhe pa ide për kërkesa të përbashkëta për avancimin e pozitës dhe statusit të tyre, u dëshmua me rastin e mbajtjes së Referendumit për pavarësi të Malit të Zi (21 maj 2006). Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse dominoi qasja ataviste përmes subjekteve nacionale politike duke e mbështetur pavarësinë e Malit të Zi, pa asnjë kërkesë të shkruar për barazi nacionale dhe qytetare. Ishte ky lëshim i pafalshëm i subjekteve politike, duke anashkaluar kërkesat e Memorandumit, ku pasojat janë të pranishme edhe në ditët tona.

Partitokracia në punësim
Sot në Malin e Zi të pavarur me konceptin e ashtuquajtur qytetar, hasim në padrejtësi praktike, sepse kemi të bëjmë jo me shtetin qytetar, por me atë tipik nacional-partiak, ku kemi institucionet dhe kuadrot që janë partiake. Nëse analizojmë vetëm fushën e arsimit, del se përveç drejtorëve partiakë, kemi edhe këshillat e shkollave partiake, të punësuarit partiakë, qofshin me kohë të kufizuar apo praktikantë, të gjithë nga partia në pushtet, nga del qartë se jemi të diskriminuar në aspektin qytetar, sepse ata që nuk i takojnë partisë apo koalicionit në pushtet nuk kanë asnjë mundësi për të udhëhequr shkollat apo për t’u punësuar. Një veprim i tillë është më keq se në kohën e monizmit.
Nga ana tjetër, mospërfaqësimi proporcional në punësim vazhdon gjithnjë, nga del se kemi pabarazi nacionale, ku institucionet qeveritare e ato lokale janë shembull praktik i kësaj dukurie.

Arsimi mbetet diskriminues
Sa iu përket plan-programeve mësimore dhe teksteve shkollore në lëndët e identitetit kombëtar (histori, kulturë muzikore, dituri natyre, art figurativ etj.) gjendja është skandaloze, sepse ato janë diskriminuese për shqiptarët, që të kujton kohën pas vitit 1981, kur u zyrtarizua fushata antishqiptare.
Ndërsa eliminimi i të drejtave të realizuara, sikurse është Ligji zgjedhor për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve, që u miratua në Parlament me shumicë votash (2011) pa votat e deputetëve të partive nacionale shqiptare, dëshmon majorizimin e shumicës ndaj pakicës.

Komuna e Malësisë në Tuz, arritje e veçantë
Ne këtë periudhë kohore tridhjetëvjeçare, përjashtim bën formimi i Komunës së Malësisë me qendër në Tuz (2018), e cila u dëshmua e suksesshme në funksionimin e saj që nga formimi i pushtetit lokal i dalë nga zgjedhjet lokale (3 mars 2019), duke qenë model edhe për komunat e tjera në Mal të Zi.
Ndërsa mosinvestimi në viset shqiptare dhe privatizimi i dështuar, ka ndikuar në keqësimin e gjendjes sociale të shqiptarëve, andaj kemi dukurinë e emigrimit të shqiptarëve e për pasojë zvogëlimin e tyre demografik nga një regjistrim në tjetrin, nga del se këtu ndodh në praktikë spastrimi i heshtur etnik.

Kërkesat mbesin aktuale
Kërkesat e Memorandumit janë aktuale edhe sot pas 30 viteve dhe ato presin realizim praktik për të eliminuar pabarazinë qytetare dhe nacionale në Mal të Zi. Pavarësisht se kërkesat e shqiptarëve nuk janë kundër të tjerëve, pushteti i Malit të Zi deri më tash nuk ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e një dialogu me shqiptarët, sepse iu mungon vullneti politik. Andaj është koha e fundit që të fillojë një dialog i tillë midis Qeverisë së Malit të Zi dhe shqiptarëve përmes partive politike nacionale, si përfaqësues autentikë të tyre në këtë mjedis. Vetëm përmes një dialogu konstruktiv duhet të krijohen raporte të partneritetit për të gjetur zgjidhje të pranueshme sipas standardeve ndërkombëtare.
Në këtë aspekt duhet të kontaktohet dhe informohet vazhdimisht faktori ndërkombëtar, duke iu ofruar argumente në lidhje me çështjet përkatëse. Sepse çështjet e barazisë nacionale në një mjedis multinacional, nuk janë më çështje të shtetit përkatës, por kanë karakter ndërkombëtar.
Përfundimisht, nuk ka dilemë së kur trajtohet pozita dhe statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, Memorandumi mbetet referencë e domosdoshme për çdo qasje apo analizë në këtë drejtim, sepse ai paraqet bazën e kërkesave për barazi qytetare dhe nacionale në këtë mjedis multinacional dhe multikulturor. Andaj, si i tillë është bërë pjesë përbërëse e platformave politike të subjekteve politike nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në fund e themi pa hezitim se derisa nuk do të realizohen në praktikë kërkesat për barazi qytetare dhe nacionale sipas standardeve ndërkombëtare, çështja shqiptare në Mal të Zi mbetet e hapur.