LDSH: Procesi zgjedhor në Plavë-rast pa presedan, shijoni të dielën me familjet tuaja!

Kumtesë e Lidhjes Demokratike Shqiptare në lidhje me procesin zgjedhor në Plavë.

PROCESI ZGJEDHOR NË PLAVË-RAST PA PRESEDAN

Me shkeljen drastike që i është bërë procesit zgjedhor në Plavë, me rastin e eliminimit të listës së Lidhjes Demokratike Shqiptare, zgjedhjet lokale që do të mbahen në këtë komunë, më 23 tetor, nuk mund të prodhojnë legjislaturë të rregullt për kuvendin e kësaj komune.

Zgjedhjet jolegjitime nuk mund të prodhojnë gjë tjetër vetëm kuvend jolegjitim, të cilin, herëdo-kurdo, të tillë do ta shpallë Gjyqi Kushtetues, i cili në momentin e ankesës sonë nuk ishte i plotësuar, prandaj nuk mund të reagonte për të shmangur anomalitë e shkaktuara nga Komisioni komunal zgjedhor, e pastaj edhe nga Komisioni shtetëror. Së këndejmi, LDSH është e mendimit se qytetarët e Komunës së Plavës kanë mënyra më të mira për të shfrytëzuar të dielën, sesa të humbin kohë duke dal në zgjedhje të pavlefshme.

Siç e din opinioni i gjerë, LDSH është paraqitur për të marrë pjesë në zgjedhje, mirëpo Komisioni Komunal Zgjedhor nxjerrë përfundimin se listës sonë i mungojnë 73 nënshkrime, pasi që për listat e pakicave nevojiten 150 nënshkrime, e jo vetëm 75 si listave të tjera. Në ndërkohë LDSH ka sjellë edhe 80 nënshkrime, por Komisioni Komunal Zgjedhor megjithatë hedh poshtë listën tonë, gjoja për mungesë nënshkrimesh, madje pa pritur as plotësimin e afatit kohorë të dhënë me konkludim, rast ky që nuk ka ndodhur në praktikën zgjedhore në Malin e Zi.

Po ashtu edhe Komisioni shtetëror zgjedhor refuzon ankesën, në bazë të konkludimit të paargumentuar të Komisionit Komunal, duke mos marrë fare para sysh shkeljet e KKZ-së.

Me këto shkelje është njoftuar edhe Presidenti i shtetit, si edhe opinioni i gjerë i Mali të Zi. Në ndërkohë kemi tentuar të kontaktojmë edhe OJQ-të që përcjellin proceset zgjedhore në MZ, por nuk kemi arritur, e as që kanë treguar interesim, pasi që e kemi publikuar këtë shkelje flagrante që i bëhet procesit zgjedhor, e me të cilin dëmtohet i vetmi subjekt politik i shqiptarëve që provoi të merrte pjesë në zgjedhjet lokale për kuvendin e Plavës.

Jemi më se të sigurt se e drejta do të triumfojë dhe se zgjedhjet në Plavë do të shpallen të pavlefshme dhe do të përsëriten, në një ambient më të drejtë dhe më demokratik.

Prandaj, për sa i përket LDSH-së, zgjedhjet e radhës për kuvendin e Plavës nuk ndodhen dhe nuk besojmë se ka komision zgjedhor që mund të shpallë rezultatet përfundimtare pa vendimin e Gjyqit kushtetues lidhur me ankesat e parashtruara. Prandaj shijoni të dielën me familjet tuaja!

Plavë, më 20. 10. 2022

Zyra per marrdhenie me medie e LDSH