Partitë politike dhe procesi i përzgjedhjes së individëve në institucionet publike


Larg etikës dhe kritereve profesionale

Duke filluar nga këshillat apo bordet drejtuese e deri te pozita e drejtorit, partitë politike zgjedhin persona pa kredibilitet, me ç’rast vlerësohen librezat partiake dhe aktiviteti i tyre në terren gjatë fushatës elektorale.

Nga Ali Salaj

Koha e paszgjedhjeve te shqiptarët në Mal të Zi, posaçërisht në Komunën e Ulqinit, paraqet një mobilizim të veçantë, ku kemi të bëjmë me dukurinë e emërimeve partiake dhe klienteliste nëpër institucionet e ndryshme publike.

Partitë shndërrohen në ente punësimi, ku ithtarët dhe militantët e tyre pa asnjë kriter sistemohen nëpër pozita dhe vende të ndryshme.

Duke filluar nga këshillat apo bordet drejtuese e deri te pozita e drejtorit, partitë politike zgjedhin persona pa kredibilitet, me ç’rast vlerësohen librezat partiake dhe aktiviteti i tyre në terren gjatë fushatës elektorale.

Kështu në komunën e Ulqinit gati të gjithë të punësuarit janë anëtarë ose militantë të partive politike që veprojnë në këtë komunë.

Më e keqja është se një numër i konsiderueshëm i tyre janë të punësuar me kontrata me qëllim që sa më gjatë të mbahen peng për qëllimet partiake.

Vetëm në komunën e Ulqinit statistikat tregojnë se numri i të punësuarve me kontrata është me dhjetëra veta. Vetëm ditëve të fundit, pushteti i ri ka punësuar një mori militantësh me kontrata të përkohshme dhe pa ndonjë transparencë.

Ndërkohë, Komisioni Evropian shpeshherë ka nënvizuar në raportin e tij për vendet e Ballkanit, për rrezikun e punësimeve të këtilla, të cilat shkaktojnë mbingarkesa në administratë dhe cenojnë mirëbesimin e qytetarëve.

Kjo mënyrë e punësimit ka krijuar një mendësi se librezat partiake, diplomat dhe provimet e blera vlerësohen më shumë se arsimi i mirëfilltë i të rinjve dhe referencat e tyre profesionale.

Punësimet partiake kanë krijuar raste të shumta abuzimesh dhe strategjinë se të punësuarit do t’i paguajë shteti e do të përfitojë partia.

Edhe emërimet e drejtorëve bëhen përmes mekanizmit politik, pa përfillur përgatitjen shkollore dhe profesionale. Drejtorët e institucioneve nuk mbështesin interesin publik apo  menaxhimin ekonomik të ndërmarrjeve, por ata u shërbejnë interesave të konjukturave të caktuara politike.

Në këtë kuadër, edhe ish-drejtorët që nuk treguan asnjë performancë të duhur në menaxhim riemërohen drejtor në një ndërmarrje tjetër.

Kështu fjala vjen, nga Ndërmarrja Publike “Gjuetia”, ku nuk u shënua asnjë aspekt zhvillimor dhe efikasitet i të hyrave, i njëjti militant i partisë bëhet drejtor në një ndërmarrje shumë të rëndësishme komunale siç është NP “Ujësjellës dhe Kanalizimi”.

Ndërkohë vendin e tij e zë një militant tjetër partiak, i cili nuk ka asnjë ditë përvojë pune, por vetëm  është lojal ndaj lidershipit dhe partisë që e përfaqëson.

Ose në NP “Qendra për Kulturë”, që me vite e shoqërojnë problemet financiare dhe prapambetja e pagave, emërohet personi partiak pa ndonjë përvojë të theksuar në këtë post. Në vend që drejtoresha e re për situatën e krijuar të denoncojë në organet e drejtësisë, ajo nxjerr të palarat e ndërmarrjes në opinion.

Në anën tjetër, në Qendrën për Kulturë gati çdo drejtor ka punësuar familjarët e ngushtë (djalin, vajzën, bashkëshorten…) duke e shndërruar këtë ndërmarrje në shembullin tipik të nepotizmit te shqiptarët në Mal të Zi.

Edhe këshillat drejtuese veprojnë me të njëjtat metoda, ku në to përfshihen vetëm militantë të partive, të cilët nuk mbështeten në parimet e interesit publik, por i qasen lojërave politike. Shumica e tyre nuk e kanë as përgatitjen e duhur arsimore ose nominohen  në këto këshilla me diplomat e shkollave të mesme.

Në sistemet e zhvilluara demokratike procesi i përzgjedhjes së këshillave drejtuese parashikon që anëtarët e këshillave të ndërmarrjeve publike të jenë të paanshëm politikisht. Sipas kësaj rregulloreje, një kandidat, të paktën 3 vjet para datës së aplikimit nuk mund të jetë zyrtar i zgjedhur, i emëruar politik ose bartës i një posti  vendimmarrës në një parti politike. Po ashtu specifikimet ligjore mbi kriteret profesionale të kandidatëve për këshillat dhe bordet drejtuese parashikojnë një diplomë të shkollës së lartë si dhe pesë vjet përvojë pune në një fushë të lidhur me funksionet e ndërmarrjes publike për të cilën aplikon.

Këto emërime dhe punësime pa ndonjë përfillje të kritereve, për çdo ditë e më shumë po prodhojnë situata që të rinjtë nuk besojnë në trajtim të barabartë në punësime.

Politizimi i posteve e vështirëson funksionimin efikas të institucioneve dhe dëmton interesat e qytetarëve. Kjo shkakton efekt negativ në besimin afatgjatë të votuesve në proceset demokratike dhe te partitë politike.

Është më se evidente që postet përdoren si shpërblim për rekrutimin e kandidatëve në radhët e ndonjë partie ose si mjet për të shpërblyer apo mbajtur lojalë anëtarët e vet. Një praktikë e tillë është tërësisht jo etike dhe shkon kundër parimit të konkurrencës mbi të cilin bazohet një shoqëri demokratike.

Punësimet dhe favorizimet politike, përveçqë përbëjnë shkelje ligjore, cenojnë edhe të drejtat e njeriut dhe për të rinjtë, që janë të kualifikuar për punë, rruga e mërgimit mbetet e vetmja alternativë.