Nik Gjeloshaj takohet me Kryeministrin Edi Rama


Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj është takuar sot me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Siç njofton Gjeloshaj, ata diskutuan për bashkëpunim dhe bashkëveprim institucional në mes të Komunës së Tuzit dhe Qeverisë së Shqipërisë.

Në fokus të bisedimeve ishte sektori i kulturës.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, si gjithmonë shprehu përkrahjen për Komunën e Tuzit dhe për kryetarin Gjeloshaj si drejtues i saj.

Gjeloshaj i ka prezantuar Ramës sukseset e arritura të Komunës, bashkëpunimin e mirë mes subjekteve shqiptare në Tuz dhe nevojën e vazhdimit të të qëndruarit bashkë në proceset e ardhshme.

“Biseduam edhe për situatën aktuale politike në Mal te Zi dhe ia shpjegova kryeministrit trend nga disa politikbërës dhe qarqe që mundohen problemet e frustrimet e veta t’ia adresojnë Shqipërisë dhe atij si Kryeministër. Në fund të takimit kryeministrit Rama i dhurova monografinë Maestro Gjelosh Gjokaj, botim i Komunës së Tuzit, pasi Gjeloshi ishte mik i ngushtë i tij,“ tha Gjeloshaj.

Kryeministri Rama propozoi që bashkë me Komunën e Tuzit të financojnë projektin që shtëpia e Gjelosh Gjokajt të bëhet rezidencë artistësh nga rajoni dhe bota. 

Në takim ishin edhe drejtuesit e Kulturës nga Komuna e Tuzit dhe nga zyra e kryeministrit, gjegjësisht Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë.