Filmi ,,Sofia” me regji të Eduart Grishajt kishte premierën në Mal të Zi mbrëmë pikërisht në komunën e Tuzit.
Në prani të figurave të njohura nga politika, arti dhe biznesi, të mediave dhe të qytetarëve të shumtë që mezi e pritën filmin, regjisori Grishaj, ndau eksperiencën e vet me filmin, që nga realizimi i tij, e deri tani, kur filmi vazhdon të shfaqet në vende të ndryshme si në Evropë ashtu edhe në Amerikë.
Ai shtoi se, në Malësi ndihet si në shtëpinë e vet dhe se historia e filmit flet pikërisht për malësorët, për historinë e gjyshërve dhe stërgjysheve tonë.
Filmi “Sofia”,është i bazuar në një ngjarje të vërtetë dhe flet për mikpritjen e pashembullt shqiptare deri aty ku dera i hapet edhe armikut. Në fakt kështu kishte ndodhur, pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat e atëhershme jugosllave; një ushtar i plagosur i bije në derë një malësoreje shqiptare, e cila siç e do zakoni e fut në shtëpi për ta mjekuar, ani pse ishte armik?!
E zonja e shtëpisë quhet Sofie Leka (Rita Gjeka), një malësore që si shumë të tjerave, burrat e djemtë u ishin shpërndarë maleve, në mbrojte të atdheut. E portretizuar nga aktorja Rita Gjeka roli i nënë Sofias ishte i vështirë e shumë kompleks, por me të cilin aktorja Gjeka mëshirohet më së miri. Ajo e ndihmon dhe e shpëton ushtarin armik edhe pse ballafaqohet me vrasjen e të birit nga po ai.
Regjisori Grishaj kishte zgjedhur që në dhomën e pritjes së shtëpisë të ishin të shtrirë edhe komandanti i plagosur serb edhe i biri i saj i vrarë. Një skenë e shumë e rëndë e cila të mbushte me emocione të forta e që gjithçka kulmonte me kujën e gjyshes së djalit, të cilën mrekullisht e luan aktorja e njohur Tinka Kurti.
Xhubleta, veshja e tradicionale shqiptare, gegërishtja e bukur, ambientet e kullave të vjetra, shtojnë madhështinë e mikpritjes në kohë lufte. Pa shumë ngarkesa por, me thjeshtësi e origjinalitet, regjisori Grishaj në këtë aspekt vetëm sa e kishe ndihmuar filmin. Qartë,thjesht,bukur.
Filmi” Sofia”, siç e thamë ,është i ndarë në dy kohë. Në ditët e sotme është mbesa e ushtarit jugosllav(serb), e cila vjen në Shqipëri në kërkim të varrit të së ndjerës tashmë Sofie Lekes, që kishte shpëtuar stërgjyshin e saj dhe që të gjitha kujtimit ai i kishte ruajtur në një ditar, të cilin ajo e përdor si udhërrëfyes. Në shenjë nderi dhe respekti që i kishte shpëtuar jetën ushtari serb e kishte pagëzuar mbesën e saj me emrin Sofia. Pra tani kemi edhe një tjetër Sofi.
Në kërkim e sipër të nënë Sofias , Sofia (serbe), interpretuar në mënyrë brilante nga aktorja e re Rozafa Çelaj dashurohet me një djalë shqiptar (Antonio Kodrinaj),i cili e ndihmon atë në kërkimin e nisur. Por, mes tyre lind një dashuri pothuajse e pamundur mes një djali shqiptarë dhe një vajze serbe. Megjithatë, të rinjtë ndjekin rrugën e zemrës pavarësisht paragjykimeve të përkatësisë së tyre etnike dhe raporteve jo të mira fqinjësore.
Filmi ishte i ndarë në dy orare – në orën 19 dhe 21, ku të gjithë të pranishmit patën mundësinë të takoheshin me regjisorin dhe disa aktorët, që ishin prezentë, mes të cilëve kishte edhe malësorë nga komuna e Tuzit, pikërisht këngëtari i njohur Nikollë Nikprelaj dhe veprimtari Mark Lajçaj.
Malesia.org