Camaj: Iniciativë për rezolutën për vuajtjet e popullit shqiptar në Mal të Zi

Sistemi zgjedhor në Mal të Zi është vjetëruar dhe duhet ndryshuar, tha për Portalin e Shërbimit Publik deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj.

Camaj po ashtu tha se pret krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, si dhe veprim afirmativ, pra mandate të garantuara për pakicat.

Deputeti Camaj thekson se në Mal të Zi as afër nuk është zbatuar decentralizimi dhe se është e nevojshme të zbatohet sa më shpejt, veçanërisht kur bëhet fjalë për autoritetet lokale.

“Decentralizimi duhet të zbatohet në mënyrë që autoritetet lokale të marrin përsipër edhe disa shërbime për qytetarët, por edhe të ardhura shtesë. Përndryshe, Qeveria dhe ministritë përkatëse po paralajmërojnë punë intensive në përgatitjen e kornizës ligjore dhe jam i bindur se përkrahja nuk do të mungojë as nga Kuvendi”, theksoi Camaj.

Ai po ashtu thekson se është më se i kënaqur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, përkundër arsyeve të shumta të pakënaqësisë.

“Në rrethanat e krijuara, shqiptarët për herë të parë kanë ndjenjën se janë të barabartë, sepse marrin pjesë në marrjen e vendimeve për gjithçka që është e rëndësishme për ta dhe jo vetëm për ta. Kjo nuk do të thotë se unë po pretendoj se qytetarët shqiptarë nuk kanë arsye për pakënaqësi, por për herë të parë nuk duhet të fajësojnë të tjerët, por vetëm përfaqësuesit e tyre, nëse nuk e bëjnë punën e tyre me ndërgjegje. Gjithsesi, jam i mendimit se jemi larg gëzimit të të drejtave në nivelin e standardeve ndërkombëtare, për të cilat sigurisht do të punojmë”, tha ai.

Camaj bëri të ditur se deputetët e Forumit Shqiptar do të paraqesin në Kuvend një iniciativë për rezolutën për vuajtjet e popullit shqiptar në Mal të Zi.

Deputeti Camaj thekson se një rezolutë e tillë nevojitet, së pari për të kultivuar kulturën e kujtesës, por edhe për të familjarizuar malazezët dhe popujt e tjerë me “kalvarin që kaluan shqiptarët, si popull autokton dhe qytetarë besnikë të këtij vendi, në duart e autoriteteve të ndryshme”, vetëm se donin të ruanin identitetin e tyre.

“Këtu përmend masakrën e Previsë, ku në vitin 1912/13 u vranë mijëra shqiptarë nga zona e Plavës dhe Gucisë në përpjekje për të ndërruar fenë me forcë.  Më pas në vitin 1919 në Hot u vranë rreth 80 vendas dhe po aq u arrestuan, gjysma e të cilëve vdiqën nga uria në Jusovaçë. Më pas në vitin 1945, masakra e Tivarit, ku u ekzekutuan gati 3000 të rinj rekrutë nga Kosova. Gjithashtu, në shkurt të vitit 1945 pushkatohen dhjetëra malësorë në krye me një prift nga Hoti. Më pas në vitin 1999 në zonën e Rozhajës u vranë 21 shqiptarë, mes tyre dy gra dhe dy fëmijë. Po, edhe Mali i Zi i ri, në këtë drejtim “nuk na mbeti borxh”, ndaj në vitin 2006 realizoi fushatën “Fluturimi i Shqiponjës”. Besoj se çdo gjë duhet parë në një kënd tjetër, jo për të zgjuar fantazmat e së shkuarës, por për të hequr ndryshkun prej saj, për hir të një të ardhmeje të përbashkët, të pangarkuar nga mëkatet e të parëve”, tha ai.

Camaj ka paralajmëruar një rezolutë të tillë ku, siç tha ai, do t’i bashkonte të gjitha këto krime në një akt, për të cilin, pretendon se ka marrë sinjale pozitive nga kolegët e tij.