Kryetari i deritashëm i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, është rizgjedhur kryetar për një mandat katërvjeçar në mbledhjen konstitutive të KKSH-së, të mbajtur të shtunën (6 korrik 2024) në sallën e Hotelit “Mediteran” në Ulqin.
Ai ka qenë kandidati i vetëm për kryetar dhe për të kanë votuar 19 anëtarë të KKSH-së, ndërsa një votë ka qenë e pavlefshme.
Pas zgjedhjes kryetar, Nika ka thënë se të gjithë anëtarët e KKSH-së, por edhe të tjerët, e kanë derën hapur për nisma dhe çdo hap konkret i cili ndikon në përmirësimin e gjendjes dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Përpos zgjedhjes së kryetarit, në rendin e ditës ka qenë edhe zgjedhja e sekretarit të KKSH-së, por kjo është lënë të bëhet në vazhdimin e mbledhjes.
Disa nga anëtarët e KKSH-së kanë shprehur kritika dhe nevojën e përmirësimit të punës dhe funksionimit të KKSH-së.
Në mbledhjen konstitutive kanë marrë pjesë 21 nga 32 anëtarë sa ka aktualisht KKSH, ndërsa pritet që përbërja e re të plotësohet edhe me dy anëtarë të tjerë nga radha e elektorëve në bazë të renditjes në Kuvendin e Elektorëve dhe të ketë gjithsej 34 anëtarë.