Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë, ka njoftuar sot Malin e Zi në një shkresë drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb, se Kroacia ka shpallur kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Aleksa Beçiq dhe kryetarin e Partisë Demokratike Popullote dhe deputetin Millan Knezheviq, të padëshiruar në atë vend për shkak të veprimeve sistematike në prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Kroacinë dhe “abuzimit të vazhdueshëm të Kroacisë për qëllime të brendshme politike”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe çështjet Evropiane, shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi, vendosi të injorojë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë hapa që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi”.