Albert Bikaj/ Arti dhe morali: Një analizë e shkurtër e relativizmit estetik


Para disa ditësh, teksa po lexoja disa postime në Facebook, hasa në një lajm të çuditshëm nga rubrika e artit në Kosovë. Një artist, të cilit nuk do t’i përmend emrin, po thyente vezë mbi ekranin e një televizori të vjetër, të kthyer përmbys. Fillimisht mendova se mos ishte skenë satirike për valën e të nxehtit veror, por e pata shumë gabim. Kritikë të ndryshëm dhe entuziastë të artit po e lëvdonin mesazhin e thellë që përmbante kjo “performancë artistike.”

Kjo skenë menjëherë më kujtoi dy gjëra: poezinë vulgare “Vrima” të Rita Petros e cila shkaktoi skandal te shumë lexues vendas, si dhe një artikull nga një kritike, e cila, nëse nuk gaboj, e kishte mbrojtur poezinë në fjalë duke pohuar se “arti nuk është i pamoralshëm sepse morali nuk ekziston,” pasi morali “është thjesht një normë që ndryshon, dhe qëllimi i tij është emancipimi.”

Në shikim të parë, mund të thuhet se një pikëpamje e tillë nuk duket problematike ose e dëmshme, sepse mund të mendojmë se është thjesht çështje shijesh personale në letërsi. Fundja, le t’u japim njerëzve lirinë ta shijojnë edhe pseudoartin, për sa kohë nuk cenohet arti i mirëfilltë. Por nuk është kështu, pasi pikëpamja e lartpërmendur është thellësisht e rrënjosur në një ideologji të rrezikshme me tendenca totalitare: në botëkuptimin postmodern të artit dhe jo vetëm, i cili shënon fillimin e problemit.

Relativizmi estetik, si koncept, nuk u shfaq rastësisht në kohën tonë. Rrënjët e tij mund të gjurmohen te lëvizjet ekzistencialiste dhe strukturaliste të shekullit të 20-të, të cilat jo vetëm që vunë në dyshim natyrën objektive të së bukurës, por e refuzuan atë bashkë me të vërtetën dhe moralin. Këto lëvizje hapën rrugën për postmodernizmin, i cili e çoi më tej këtë ide duke sfiduar vetë themelet e civilizimit perëndimor.

Nëse pranojmë premisën postmoderne se morali nuk ekziston dhe se është thjesht konstrukt për hir të emancipimit, atëherë logjikisht del se pa moral nuk mund të ketë emancipim. Për më tepër, pa moral nuk ka norma, nuk ka të vërtetë, nuk ka art dhe me siguri nuk ka as bukuri.

Immanuel Kant-i, një nga filozofët më të mëdhenj të epokës moderne, shkroi se “Bukuria është forma e qëllimshmërisë në një objekt, për aq kohë sa ajo perceptohet në objekt pa përfaqësuar një qëllim të caktuar.” (Kant, 1987) Prandaj, nga këndvështrimi kantian – që vazhdon traditën perëndimore të estetikës – mund të themi se esenca parësore e artit është bukuria. Kjo ide gjen mbështetje të ngjashme edhe te një tjetër filozof bashkëkohor i shquar i estetikës dhe kritik kryesor i artit modern, Sir Roger Scruton. Në librin e tij të famshëm “E bukura: një hyrje e shkurtër”, shkruante: “Bukuria është vlerë përfundimtare – diçka që e ndjekim për hir të saj, për ndjekjen e së cilës nuk ka nevojë për asnjë arsye tjetër. Bukuria duhet të krahasohet me të vërtetën dhe mirësinë, si pjesë e një triniteti vlerash përfundimtare që justifikojnë prirjet tona racionale.”

Këto dy pikëpamje bien në kontrast të thellë me idenë postmoderne që e sheh esencën e artit si parësisht subjektive – si vegël ideologjike, mjet propagandistik subversiv, të cilin shpesh e shoqëron shprehja “Arti nuk ka të bëjë me estetikën,” “arti duhet të trazojë,” “arti duhet të jetë tronditës!” Kjo perspektivë, të cilën Scruton e quante me plot të drejtë e quan përligje e “kultit të shëmtirës,” kjo e fundit jo vetëm se është thelbësisht në kundërshtim me kuptimin tradicional të artit, por edhe të vetë jetës. (Scruton, 2009)

Absurditeti i filozofisë thelbësore të postmodernizmit qëndron në narrativën e saj që mohon narrativat e mëdha: duke pretenduar se e vetmja e vërtetë është që nuk ka të vërtetë. Nuk është çudi që kjo perspektivë tërheq drejt sentimentalizmit irracional. Kjo ideologji bashkëkohore sugjeron që arti dhe morali janë thjesht çështje mode, trende kalimtare pa ndonjë substancë të vërtetë, të shndërruar gati në një kotësi për shkak të mungesës së lidhjes së tyre me të vërtetën. Një pikëpamje e tillë është thellësisht relativiste, gati nihiliste, konfuze dhe, mbi të gjitha, e rrezikshme dhe e gabuar.

Përkundër idesë popullore, arti nuk është thjesht një çështje e padëmshme e preferencave personale estetike; në të vërtetë, është qasje e thellë filozofike ndaj vetë jetës. Madje edhe mendimtarë të shquar marksistë, si filozofi francez Alain Badiou, e pranojnë këtë të vërtetë të lashtë. Ky i fundit sugjeron se “arti është shprehja më e pastër e idesë, duke u mishëruar në sferën e të ndjeshmes.” Në këtë kontekst, fjalët e Scruton-it kërkojnë vëmendje. Ai na paralajmëroi se e bukura po zhduket nga bota jonë sepse përçmohet si diçka e parëndësishme. Kjo, sipas tij, është një çështje serioze, sepse zhdukja e së bukurës nga kultura nënkupton refuzimin e së shenjtës në jetë të përditshme, mohimin e asaj që është transhendentale. Në fund të fundit, bashkë me të humbet kuptimi i botës tonë.

Për individin bashkëkohor, veçanërisht artistin bashkëkohor, vëzhgimi i Scruton-it mund të duket i ashpër, përçmues, pompoz dhe elitist, por nuk kërkon shumë mund për ta vërtetuar se realisht ka të drejtë. Mjafton të lexosh pikëpamjet postmoderne mbi artin ose të vëzhgosh të ashtuquajturat “kryevepra të artit konceptual,” si “Fontain” i Marcel Duchamp-it ose performancat e çuditshme të Marina Abramović-it, e cila tenton të thyejë tabutë. Prandaj, mesazhi i tyre duhet marrë seriozisht. Siç thoshte T. S. Eliot: “Prova më e madhe e besimit të një njeriu është shenjtëria e artit të tij.” (Eliot, 2022) Prandaj, Scruton ka të drejtë kur thotë se arti si koncept është thellësisht religjioz, edhe nëse në pamje të parë nuk duket i tillë. Prandaj, nuk do ishte gabim të thuhet se arti postmodern është një lloj sekte që i kushtohet kaosit, që si rit ka profanitetin, e mbi të gjitha si sakrament kryesor ka shëmtirën.

Kjo është arsyeja pse G. K. Chesterton thoshte se arti, njësoj si morali, ka kufij të përcaktuar. Mund të ketë art që reflekton motive të pamoralshme ose e kundërta, por është e gabuar të thuhet se morali nuk ekziston. Ose, si alternativë, mund të ketë thjesht arti dhe kiç – këtë të fundit Scruton e definonte si “art i rremë, që shpreh emocione të rreme, me qëllimin për të mashtruar konsumatorin duke e bërë të mendojë se ndjen diçka të thellë dhe serioze.” (Scruton, 2016)

Këto tendenca, nuk janë aspak të reja, kanë transformuar pothuajse tërësisht të ashtuquajturin “art bashkëkohor” në një adhurim të pakuptimtë të shëmtisë, ku mediokriteti mbizotëron falë relativizmit estetik dhe refuzimit të dallimeve midis së bukurës dhe shëmtirës, kuptimit dhe marrëzisë. Si pasojë, sot çdo gjë quhet art! Por nëse çdo gjë është art, a nuk i bie se asgjë nuk është art?

Mendja e shëndoshë zor se mund të barazojë pikturat klasike ose ato të Rilindjes me “artin konceptual” që shpesh ngjan me shkarravinat e një fëmije trevjeçar. Megjithatë, relativizmi, ashtu si ideologjitë e tjera totalitare, nuk merr parasysh arsyen dhe logjikën. Po të guxosh ta kritikosh këtë të fundit, do të të damkosin me të gjitha llojet e etiketave, përfshirë “fashist,” “injorant,” ose, më së paku do të përbuzin si injorant: “Ti nuk e kupton artin!”

E vërteta është se në artin dhe filozofinë postmoderne çdo gjë relativizohet dhe barazohet. Bukuria, e vërteta dhe morali bëhen çështje shijesh, ndërsa shëmtira dhe kiçi bëhen në modë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që një qasje e tillë tërheq kaq shumë ndjekës në ditët e sotme, sepse u jep mundësi atyre që u mungon talenti i vërtetë. Megjithatë, jam i bindur se ditët e kësaj ideologjie janë të numëruara, sepse bukuria është vlerë e brendshme që nuk mund të shkatërrohet, pasi ajo qëndron në thellësitë e zemrave njerëzore.

Bibliografia:

— Eliot, T. S. (2022). Thoughts after Lambeth. Wildside Press LLC. (Punimi origjinal botuar në 1932)

— Kant, I. (1987). Critique of judgment (W. S. Pluhar, Përkth.). Hackett Publishing Company. (Punimi origjinal botuar në 1790)

— Scruton, R. (2009). Beauty: A very short introduction. Oxford University Press.

— Scruton, R. (2016). Confessions of a heretic: Revised edition. Notting Hill Editions.

Albert Bikaj është politolog, historian dhe përkthyes. Shërben si studiues dhe kolumnist për fe dhe filozofi në think tank-un britanik Orthodox Conservative Group. Deri me tani ka shkruar për The European Conservative, Institutin e Kërkimeve për Politikë dhe Qeverisje (Hungari), The Burkean, etj. Së fundmi ka përkthyer në shqip: “Nevoja për Kombet” të Roger Scruton, si dhe “Iriqi dhe dhelpra” të Isaiah Berlin.