Gjeloshaj reagon ndaj Mandiqit – Gabuam kur i besuam nënshkrimit dhe fjalës tuaj


Zëvendëskryeministri i Malit të Zi Nik Gjeloshaj i rekomandoi kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq që të mos i lidhë shqiptarët me projektin, siç tha ai, shovinist për dyshtetësinë.

“Ne gabuam një herë dhe i besuam nënshkrimit dhe fjalës tuaj, por jo më, do të gjejmë mekanizma dhe do të presim ditën për të fshirë votën që kemi dhënë për ju, pra për kryetarin e Kuvendit”, tha Gjeloshaj.

Më herët Mandiq tha se shumë shqiptarë e boshnjakë në botë do të dëshironin që përveç nënshtetësisë së tyre të kenë edhe shtetësinë malazeze dhe shtoi se pret që përfaqësuesit e këtyre pakicave në Parlament të mbështesin ndryshimet në Ligjin për Shtetësinë. Gjeloshaj, në një postim në rrjetin social Facebook, i tha Mandiqit se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që ai përmend dhe lidh shqiptarët me “projektin e tij shovinist të shtetësisë së dyfishtë”.