Donald Trump zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara


Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, duke shënuar një rikthim të jashtëzakonshëm.

Me një fitore në Uiskonsin, zoti Trump siguroi 277 vota elektorale nga 270 sa janë të nevojshme për të siguruar presidencën.

Mëngjesin e së mërkurës ndërsa ende po numëroheshin votat, zoti Trump shpalli fitoren në një tubim në Florida.

“Kjo ishte një lëvizje që askush nuk e ka parë ndonjëherë më parë dhe sinqerisht, kjo ishte, besoj, lëvizja më e madhe politike e të gjitha kohërave”, u tha zoti Trump mbështetësve të tij.

Ai u zotua të “rregullojë kufijtë tanë” dhe “të rregullojë gjithçka në vendin tonë”.

Trump tha gjithashtu se do të punojë për një “Amerikë të fortë, të sigurt dhe të begatë”.

Ai garoi me rivalen demokrate, Kamala Harris, aktualisht Nënpresidente, e cila deri tani siguroi 224 vota elektorale.

Zoti Trump është ish-Presidenti i parë që nga Grover Cleveland që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi humbi një palë zgjedhje pas mandatit të parë.

Zoti Trump i cili shërbeu si President në periudhën 2017-2021, u largua nga posti pasi humbi përballë Presidentit aktual Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 për të cilat vazhdoi të pohonte në mënyrë të rreme se i kishte fituar. Ky mohim ndihmoi në nxitjen e sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij, të cilët ndërprenë numërimin zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve.

Në moshën 78 vjeç, Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Bidenit, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.

Ai është, po ashtu, presidenti i parë që është përballur me dy procese gjyqësore për shkarkim dhe gjithashtu i pari që është dënuar për një krim.