Ditën e ënjte, më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit do të përurohet përmendorja e krye-heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në parkun e ri në Tuz.
Nga Komuna e Tuzit e cila është bartëse e këtij projekti të shumëpritur, kanë njoftuar se ceremoniali i përurimit fillon në ora 12:00.
Realizimi i përmendores u financua nga mërgimtarët malësorë dhe shoqatat në ShBA.
Sipas komunës së Tuzit, projekti kushtoi 180,000$, nga të cilat rreth 140,000$ u siguruan nga mërgimtarët, kurse pjesa tjetër (rreth 40,000) u siguruan nga shoqatat: “Shoqata Jehona e Malësisë”, “Shoqata Malësia e Madhe – NY”, “Malësia e Madhe – Michigan”, “Shoqata Malësia në Kaliforni”, Shoqata “Trojet Tona” , Fondacioni “Dom Simon Filipaj” dhe “Shoqata Koja”.
Në fushatë ishte aktiv edhe portali malesia.org nga ku u siguruan rreth 20% e shumës të grumbulluar në platformën GoFund.
/MALESIA.ORG/