Skandal në Mal të Zi, referi godet me trofe trajnerin nga Kosova


Një skandal i madh ndodhi në turneun e kikboksit që u mbajt në Cetinë të Malit të Zi të premten. 

Referi në ring Fegja Trbonja goditi me trofe në fytyrë trajnerin e kikboksierit nga Kosova, Nart Mehmeti. 


Në një video, që është publikuar në uebfaqen e televizionit shtetëror të Malit të Zi, “RTCG.me”, shihet se si trajneri i kikboksierit 16-vjeçar nga Kosova proteston pasi u shpall fitues kikboksieri nga Mali i Zi, Luka Heber. Trajneri kosovar, futet në ring dhe shpreh pakënaqësinë duke bërë me gjeste në drejtim të trajnerit të kikboksierit nga Mali i Zi. Më pas referi në ring Trbonja ndërhyri duke i thënë trajnerit kosovar të largohej. Por Trbonja e eskaloi situatën, duke e goditur trajnerin kosovar me trofe në fytyrë. 

Sigurimi më pas ndërhyri dhe e përcolli nga arena trajnerin kosovar dhe kikboksierin e tij. Dëgjoheshin fyerje edhe nga publiku vazhdimisht. 

Turneu ishte organizuar në kuadër të 13 nëntorit, ditë së çlirimit të Cetinës.