Autoritetet në Kosovë thanë të mërkurën se kanë mbyllur të gjitha institucionet paralele të Serbisë që kanë vepruar në territorin e vendit.
Sipas autoriteteve, gjatë një operacioni janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.
Ministri i punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se nga sot mbyllet kapitulli i institucioneve paralele. “Në Banjë e gjithandej në të gjitha pjesët tjera të Republikës së Kosovës objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, tha në një postim në rrjetet sociale.
“Këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, tha ndërkaq ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi.
Novak Zhiviç, i emëruar nga Beogradi si kryetar i autoritetit të përkohshëm të qytetit të Prishtinës, tha se në praninë e misioneve ndërkombëtare sot është ushtruar trysni ndaj popullit serb.