Në kuadër të projektit “Nga idetë fiktive të hoteleve tek ato reale, për forma inovative të turizmit” i cili realizohet në kuadër të programit Interreg IPA Adriatiku Jugor, të hënën në Ulqin u organizua tryeza e rrumbullakët me titull “Rikonceptimi i mikpritjes: transformimi i modeleve të turizmit për vizitorët e së nesërmes”.
Përfaqësues Shoqatës së Hotelierëve të Malit të Zi, Qeverisjes Vendore, Organizatës Turistike të Ulqinit, institucioneve publike, pastaj menaxherë të kompanive hoteliere, agjencive të udhëtimeve, operatorëve dhe inovatorëve turistik, si dhe përfaqësues të iniciativave private e shoqatave profesionale, diskutuan për avantazhet e rajonit ndërkufitar për të zhvilluar konceptet e reja turistike.
Promovimi i modelit të ri të quajtur “workation” e që nënkupton “punë nga një destinacion turistik” dhe mundësitë e ngritjes së kapaciteteve receptive në brezin kufitar Shiqpëri – Mali i Zi, ishte qëllimi kryesor i këtij takimi.
Panelistët e kësaj tryeze shpalosën potencialet turistike, përvojat pozitive, planet dhe strategjitë që do t’i ndihmonin komunës së Ulqinit, zonës ndërkufitare përgjatë lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës, zonës së Krajës, si dhe rajonit të gjerë në përgjithësi, për të rritur mundësitë e tërheqjes së një kategorie të re të turistëve, të vizitorëve digjital – turistëve të së nesërmes.
Projekti realizohet nga Universiteti i Salentos (Itali), SviluppoItalia Molise, “People in Focus” (Shqipëri), OJQ Horizonti i Ri (Mali i Zi) dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian.