Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet shtete në Ballkan që kanë shënuar përmirësim ndaj korrupsionit


Në raportin e publikuar të martën, organizata ndërkombëtare “Transparency International” që mat perceptimin e korrupsionit në mbarë botën, vlerëson se ky fenomen vazhdon të jetë i përhapur në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet shtete në këtë rajon që kanë shënuar përmirësim.

Ndërkaq, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina shënuan rënie gjatë vitit të fundit. Përmirësim nuk ka as në Mal të Zi.

Sipas raportit, përmirësimi në Shqipëri ka ardhur si rezultat i punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që gjatë viteve të fundit ka kryer hetime ndaj zyrtarëve të lartë nga mbarë spektri politik. ‘Transparency International’ e vlerëson punën e SPAK-ut si njërën nga “pikat e ndritshme” në analizën e shteteve të rajonit.

Në mesin e shteteve të rajonit që tregojnë përmirësim në matësin e perceptimit të korrupsionit të ‘Transparency International’ është edhe Kosova.

Raporti po ashtu kritikon, siç thotë, “qasjen gjysmake të Malit të Zi për reforma, të cilat kanë lënë kapjen e gjyqësorit të pa adresuar, duke rrezikuar përparimin e bërë nga Prokuroria Speciale Shtetërore dhe duke vazhduar pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të nivelit të lartë”. Mali i Zi nuk ka shënuar përmirësim.

/MALESIA.ORG/