Millatoviq dhe Spajiq e kanë uruar Kosovën, por nuk i kanë publikuar urimet as njoftuar mediet


Pas reagimit të disa medieve se zyrtarët më të lartë malazezë – kryeministri Millojko Spajiq, presidenti Jakov Millatoviq dhe kreu i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq nuk e kishin uruan zyrtarisht Kosovën për 17 vjetorin e pavarësisë, sot nga kabineti i presidentit Millatoviq kanë sqaruar se urimi zyrtar ishte dërguar Kosovës zyrtare.

Jozyrtarisht mësohet se edhe kryeministri Spajiq kishte dërguar letër urimi për pavarësinë e Kosovës, por as presidenti dhe as kryeministri nuk i kishin publikuar urimet dhe as nuk i kishin njoftuar mediet. Njoftimi i medies, kur dërgohen urime zyrtare nga zyrtarë të lartë shtetërorë, është një praktikë e zakonshme.

Mos publikimi i urimit dhe mos njoftimi i medieve nga kryeministri Spajiq, ka gjasa se është bërë e qëllimshme pasi që në partinë e tij (Evropa Sad) ka deputetë të cilët nuk e pranojnë Kosovën. Deputeti i kësaj parti Vasilije Çarapiq, vitin e kaluar nuk kishte votuar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropës.

Jozyrtarisht mësohet se kreu i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq, i cili është lider i subjektit politik pro-rus, nuk e ka uruar Kosovën, gjë e cila, duke i ditur qëndrimet e tij politike, nuk ishte e papritur.

/MALESIA.ORG/