Rregullat e reja të qirasë së plazheve godasin rëndë Ulqinin

Rregullat e reja të tenderit për qiratë e plazheve, të cilat përfshijnë çmime tri herë më të larta, shkaktuan debate të ashpra midis qiramarrësve vendas dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Të pakënaqur u shprehën edhe disa ministra, duke paralajmëruar se mund të largohen nga Qeveria.

Reagimet më të zëshme ishin në Ulqin – qytet në jug të Malit të Zi, i banuar me shumicë shqiptare.

Qiramarrësit ulqinakë besojnë se me çmimet e reja, është e pamundur të bëhet biznes, pasi ato do ta bëjnë më të shtrenjtë ofertën turistike.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, tha për Radion Evropa e Lirë më 17 shkurt se, për shkak të vendimit të Qeverisë, ministrat nga Forumi Shqiptar do ta rishqyrtojnë pjesëmarrjen e mëtejshme në Qeveri deri në fund të muajit.

Rregullat e reja për dhënien me qira të plazheve u miratuan nga Qeveria e kryeministrit malazez, Millojko Spajiq, me gjithë kundërshtimet e komunave bregdetare dhe pa u konsultuar me ekonomistët.

Ministri i Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Sllaven Radunoviq, nga Fronti Demokratik, tha se rregullat e reja do të vendosin rend në sektorin ku vendimet janë marrë nga “banditët”.

Kjo u pasua me një protestë të tri shoqatave të qiramarrësve ulqinakë, më 14 shkurt.

Përfaqësuesit e tyre e cilësuan vendimin e Qeverisë si goditjen më të madhe ekonomike për qytetin.

Ata i mbështeti edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu.

Qiramarrësit i mbështeti edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, i cili i dërgoi një letër kryeministrit Spajiq, në të cilën tha se Ulqini “po plaçkitet nga politika centraliste dhe antiqytetare”.