Takimi i zhvilluar mes Kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe Kryeministrit Millojko Spajiq ka përfunduar me një qëndrim të qartë dhe të fortë nga përfaqësuesit politikë shqiptarë të qytetit.
Gjatë takimit, përveç Nimanbegut, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të subjekteve poltitike shqiptare si Mehmed Zenka, Artan Çobi, nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Pero Deliq, dhe Asllan Llunji, përfaqësues i të Mirave Detare nga Komuna e Ulqinit, të cilët i shprehën qëndrimet e tyre për çështjen e shpalljes së tenderëve për qiramarrësit e plazheve.
Pas takimit, Nimanbegu deklaroi se ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre të thellë lidhur me procesin e tenderëve dhe shpalljen e tyre. “Nuk mund të pranojmë një dëm të tillë për qytetin e Ulqinit dhe për qytetarët e tij. Nëse nuk arrihet një marrëveshje që të jetë në interesin e qytetit dhe qytetarëve tanë, atëherë partitë shqiptare nuk do të jenë më pjesë përbërëse e kësaj qeverie,” tha Nimanbegu, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së interesave të qytetit.
Ndërkohë, Mehmed Zenka theksoi se të Mirat Detare duhet të ofrojnë përgjigje për padrejtësitë që i janë shkaktuar Ulqinit jo vetëm tani, por edhe për vitet e kaluara, duke përmendur se ky problem është i ngulitur për më shumë se tridhjetë vite. Ai kërkoi një zgjidhje të drejtë dhe të barabartë për të siguruar të ardhmen e qytetit dhe të gjithë banorëve të tij.