E vërteta kundër manipulimit: Çfarë do të thotë në të vërtetë ndërhyrja humanitare?


Çdo vit, në këtë datë, rrjetet sociale [ballkanase dhe jo vetëm] mbushen me pretendime se termi “ndërhyrje humanitare” po përdoret për të justifikuar viktimat civile gjatë fushatës së NATO-s në Kosovë më 1999.

Kjo polemikë, e ushqyer nga manipulimi mediatik dhe oportunizmi politik, rishfaqet çdo vit, duke shtrembëruar kuptimin e ndërhyrjes humanitare dhe rolin e saj në të drejtën ndërkombëtare.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte një operacion ushtarak që synonte ndalimin e spastrimit etnik dhe mizoritë masive të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Edhe pse kjo ndërhyrje mbetet subjekt i debatit politik, por një gjë është e sigurtë: koncepti i ndërhyrjes humanitare ka një përkufizim të saktë në të drejtën ndërkombëtare dhe qëllimi i saj nuk është justifikimi k krimeve të luftës, por parandalimi i tyre.

Pavarësisht kësaj, disa politikanë dhe media vazhdojnë të manipulojnë me këtë term, ose nga padija ose dashakeqësia. Ky artikull synon të demantojë këto keqkuptime, të sqarojë se çfarë nënkupton në të vërtetë ndërhyrja humanitare dhe të shpjegojë pse përballja me revizionizmin historik është thelbësore për drejtësinë dhe pajtimin.

Dezinformimi dhe manipulimi mediatik

Kushdo që merr mundin për të kërkuar të dhënat burimore mbi ndërhyrjen e NATO-s dhe t’i analizojë ato me kujdes nuk do të gjejë askund përdorimin e termit “ndërhyrje humanitare” për të zvogëluar ose justifikuar vuajtjet e civilëve.

Megjithatë, manipulimi politik lulëzon mbi reagimet emocionale dhe jo mbi faktet, dhe pikërisht ky mekanizëm aktivizohet çdo vit kur rikthehet ky debat.
Ajo që është më e habitshme nuk është reagimi i politikanëve populistë apo i mediave sensacionaliste—kjo është e pritshme prej tyre—por pranimi i pakushtëzuar i këtij narrativi nga disa politikanë të moderuar dhe parti politike. Askush nuk është plotësisht imun ndaj dezinformimit, por kjo është pikërisht arsyeja pse është gjithmonë e mençur të verifikohen faktet para se të reagojmë.

Çfarë do të thotë ndërhyrja humanitare?

Termi “ndërhyrje humanitare” mund të duket i paqartë ose i debatueshëm vetëm për ata që nuk janë të informuar, por ai duhet të jetë i kuptueshëm—të paktën—nga gazetarët dhe politikanët. Kjo vlen veçanërisht për brezat që i kujtojnë luftërat e viteve ’90 dhe rolin e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).

Meqenëse ky term shpesh keqinterpretohet, ja një sqarim i shkurtër.
Në vitin 1986, gjykatësi amerikan Dr. Theodor Meron e përkufizoi ndërhyrjen humanitare si përdorimin e forcës ushtarake ose formave të tjera të ndërhyrjes nga shtetet për të mbrojtur individët që përballen me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut ose me dhunë në shkallë të gjerë brenda një shteti sovran, pa pëlqimin e qeverisë së atij shteti (shih: Humanitarian Intervention: The Case for Incremental Change).

Thënë thjesht, ndërhyrja humanitare i referohet përdorimit të forcës për të parandaluar gjenocidin dhe abuzimet ndaj të drejtave të njeriut. Ky term është i rrënjosur në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk është një shpikje e ndonjë politikani apo institucioni specifik. Përkufizimi i tij nuk ndryshon në bazë të interpretimeve politike, pavarësisht çfarë pretendojnë disa media apo individë. Sigurisht, mund të ketë mendime të ndryshme mbi ndërhyrjen si politikë, por kjo është një çështje tjetër. Përkufizimi i ndërhyrjes humanitare mbetet i njëjtë.

Dilema morale: Si ndalen regjimet kriminale?

Pyetja e vërtetë është: Si mund të ndalen regjimet kriminale? Historia ka treguar se sanksionet nuk janë të mjaftueshme—Rusia sot është një shembull konkret i kësaj.

Lufta është padyshim mizore, por pacifizmi, sado fisnik që mund të tingëllojë, nuk është një zgjidhje morale—është një formë emocionalizmi. Fatkeqësisht, e keqja nuk mund të mposhtet pa rezistencë. Kundërshtimi i padrejtësisë nuk është vetëm një virtyt; është një detyrë.

Një nga mendimtarët e parë që e kuptoi këtë fakt ishte filozofi dhe teologu i madh i antikitetit të vonë, Shën Augustini, i cili artikuloi nevojën për luftë të drejtë (lat. bellum iustum) më shumë se 16 shekuj më parë. Siç shkruante:

“Nuk kërkojmë paqe për të qenë në luftë, por shkojmë në luftë që të kemi paqe.” (Epistula ad Bonifacium clxxxix)

Ky koncept mbetet i vlefshëm edhe sot—jo vetëm në traditën e krishterë apo në botën perëndimore, por si një parim universal në etikë dhe filozofi të së drejtës.

Historia si mësim për të tashmen

Siç thotë shprehja latine, Historia magistra vitae est—historia është mësuesja e jetës. Dhe historia na jep një precedent të qartë: forcat aleate në vitet ‘40 bombarduan dhe në fund mposhtën Gjermaninë naziste, dhe ajo fitore sot festohet si Dita e Fitores në Evropë.

Duke u kthyer tek çështja aktuale, faktet janë të padiskutueshme:
* Regjimi i Sllobodan Millosheviqit zhvilloi një fushatë represioni dhe gjenocidi në Kosovë.
* Mbi 10,000 civilë shqiptarë u vranë.
* Më shumë se 20,000 gra u përdhunuan.
* Mbi 800,000 shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Ndërhyrja e NATO-s, e cila rrëzoi regjimin e Millosheviqit dhe ndaloi gjenocidin, u njoh si legjitime nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Megjithatë, pavarësisht këtyre fakteve të qarta, manipulimi mediatik dhe revizionizmi politik vazhdojnë.

Shtrembërimi i narrativave, qoftë me qëllim apo jo, sjell relativizimin e rrezikshëm të krimeve të kryera në Kosovë. Më keq akoma, këto shtrembërime instrumentalizojnë vuajtjet e viktimave të pafajshme për përfitime të ulëta politike, duke nxitur më tej tensionet etnike.

Rreziqet e revizionizmit historik

Dezinformimi i këtij lloji nuk është vetëm i dëmshëm për debatin publik—ai përbën kërcënim për demokracinë, kohezionin shoqëror dhe sundimin e ligjit. Pa u përballur me historinë e vërtetë të luftërave të viteve ’90, shoqëritë mbeten të bllokuara në narrativa revizioniste që pengojnë pajtimin e vërtetë. Sa herë që përsëriten narrativat revizioniste, e vërteta—dhe kujtimi i viktimave të pafajshme, pavarësisht etnisë apo fesë së tyre—sakrifikohet sërish.

Historia duhet të jetë një mundësi për të dënuar krimet dhe ideologjitë totalitare të së kaluarës, jo për t’i ‘fshirë’ ato për qëllime politike. Vetëm duke e pranuar të kaluarën me ndershmëri mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe të përbashkët.

Albert Bikaj është politolog dhe drejtues i kërkimeve mbi religjinin dhe filozofinë në think tankun Orthodox Conservatives Group. Ka përfunduar studimet në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, është magjistër i historisë mesjetare, i specializuar me fokus në historinë e mendimit politik. Ka shkruar për revistën The European Conservative, Research Institute for Politics and Government dhe The New Liturgical Movement; si dhe ka përkthyer së fundmi në shqip veprën e Roger Scrutonit, Nevoja për kombet, dhe të Isaiah Berlinit, Iriqi dhe dhelpra: Ese mbi pikëpamjen e Tolstoit për historinë.

Albert Bikaj eshte politolog dhe drejtues i kerkimeve.