Ambasadori shqiptar Ernal Filo premton përkrahje?

IMG_9275

Përkujdesja për shqiptarët jashtë atdheut garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka thënë Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ernal Filo.

Ai në vizitën e tij në zyrën e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në Tuz, të mërkurën e kaluar, shprehu mbështetje në drejtim të përkrahjes të shqiptarëve në Malësi dhe në Mal të zi në përgjithësi, njoftojnë nga kjo zyre.

Më poshtë, përcjellim kumtesën e plotë nga kjo parti:

Më 22. 04. 2015, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Ernal Filo, i shoqëruar nga Këshilltarët e tij, në vazhdën e aktiviteteve të veta, për t’u njohur me spektrin politik shqiptar që vepron në Mal të Zi, vizitoi Degën e Lidhjes Demokratike në Tuz, me ç’rast e priti kryetari i Degës, z. Nikollë Camaj me aktivistë të kësaj partie.

Ishte ky një takim vëllazëror, sa i mirëpritur aq edhe i nevojshëm për të dy palët, me ç’rast u shkëmbyen mendime mbi problemet që i shqetësojnë qytetarët e Malësisë, respektivisht të Komunës urbane të Tuzit, por edhe të shqiptarëve në Mal të Zi në përgjithësi. Aty u përmenden probleme të shumta, si në punësim, në përfaqësim, në arsimim, mungesa e investimeve, problemet në lidhje me pronat e uzurpuara etj. Por, temë bosht bisedimi natyrisht se ishte çështja e statusit juridik të Malësisë, për zgjidhjen e të së cilit nikoqirët kërkuan mbështetje sa më të rreptë të autoriteteve shqiptare. Fjalët e Ambasadorit ishin mbështetëse në drejtim të përkrahjes së plotë që shqiptarët e këtushëm duhet të gëzojnë nga shteti shqiptar, pasi që përkujdesja për shqiptarët jashtë atdheut garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu Ambasadori mbështeti pa rezervë iniciativën e Lidhjes Demokratike për të ftuar subjektet e tjera politike në Malësi për bashkëpunim, si edhe çdo iniciativë për qëndrim të përbashkët të subjekteve politike shqiptare.

Duke veçuar nevojën e bashkëpunimit të mëtejmë të dy shteteve; Shqipëri-Mal i Zi, për kultivimin e marrëdhënieve sa më të mira, Ambasadori tha se çështja e shqiptarëve çdo herë do të jetë në fokus të vëmendjes dhe bisedimeve të zyrtarëve shqiptarë me homologët e vet malazezë.

Shërbimi informativ
Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë

IMG_9281