Amerika është në Tuz, po Tuzi nuk është Amerikë

Tuzi MalesiaRamiz LUSHAJ

1.
Prapë, në fill prilli 2014, isha shkurtas në Tuzi-Malësi, një nga trevat shqiptare ma amerikandashëse në shek. XXI. Prej knejna, nga visi i Shipshanikut e kam prejardhjen e kahershme të fisit tim të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës.
Ndjej krenari se në Malësi-Tuzi kanë rrënjë e lartësi malet-fiset-bajrakët-krahinat  historike emblematike të kombit: Hoti e Gruda,
Triepshi e Koja (degë e Kuçit) që  kanë hy edhe në anale të diplomacisë botërore si luftëtarë qëndrestarë në mbrojtje të trojeve të veta etnike. Njëherash ndjej dhimbje palcnore se kufini i padrejtë (1913) ra si gurë mes dy syve edhe në këtë trevë etnike shqiptare, e ndau thiktë më dysh Hotin: bajraku Traboini mbeti nën Malin e Zi e bajraku Rapsha në Shqipëri. Po u ngjite tek kulla e Dedë Gjon Lulit e po dredhe nëpër Leqet e Hotit e sheh e ndjen ma fort këtë padrejtësi të pandrequn mbishekullore. Patjetër, e ndjen një siguri ende të lartë se këto vise do të mbeten etnike shqiptare.
Tuzi-Malësi, e para për nga popullsia e besimit katolik (në numër e përqindje) në Malin e Zi, është edhe një nga shembujt e pëlqyer të bashkëjetësës e harmonisë fetare në mes feve të ndryshme: katolikë, muslimanë, ortodoksë, si edhe në mes etnive të ndryshme: shqiptarë, malazezë, boshnjakë, serbë, etj.
Mali i Zi, anipse në kushtet e Rendit të Ri Botëror e vend kandidat për në BE e NATO, anipse Gjukanoviçi e vetdeklaron mburrtas “kampion i demokracisë në Ballkan”, ende nuk po i jep Tuzi-Malësisë një nga të drejtat demokratike, elementare, themeltare: të
drejtën e vetorganizmit qeverisës e zhvillimit ekonomiko-kulturor si komunë e plotë, e pavarur, më vete, si 23 komunat e tjera.
Malësia në kohën e Jugosllavisë Avnjoiste nga pesë komuna u reduktua për dy vjet  (1955-’57) në dy komuna: Tuzi e Stjepoh
(Triepshi) dhe prej v. 1957 katër krahinat etno-historike të saj u keqfutën nën komunën e Podgoricës për t’i pasë nën kontroll sipëror, përditsor  e gjithanshmërisht për përvuajtje, asimilim e shpërngulje të shqiptarëve etnik.
Statusi komunar i Malësisë-Tuzi u suprimua nga Tito, u ndalua nga Millosheviçi (!) Po pse nuk jepet ky status nga Gjukanoviçi, i cili mund ta kryente kaherë kit’ akt zyrtar demokratik e meritor, pasi ka 23 vite në mazhorancë me një mandat si president e shtatë mandate si kryeministër i Malit të Zi. E, përveç kësaj,Tuzi-Malësinë e ka skej vilës e zyrës së tij të ekzekutivit e partisë DPS në pushtet.

2.
Shteti, Kishat Ortodokse Sllave, Akademitë e Shkencave në trekëndshin Rusi-Serbi-Mali i Zi hartuan e zbatojnë platforma kundërshqiptare nga koha e Krajl Nikolla I e deri tek “krajli i ri” Millo Gjukanoviçi, pjesë genocidiale sllave e të cilave është edhe Malësi-Tuzi nën komunën e Podgoricës.
Dinastia Petroviç-Njegosh e pinjolli i tyre Krajl Nikolla i Malit të Zi i bani dy shekuj luftë edhe me Malësi-Tuzi (me katër fiset e saj) prej se nga koha e Bushatllinjve, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e mujtën me ardhë deri tek
dera e Podgoricës iliro-arbnore vetëm me ndore të padrejtë të Fuqive të Mëdha, vetëm pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1913. Presidenti i “Jugosllavisë së Dytë”, Josif B. Tito, e ktheu Podgoricën në kryeqytet të dytë të Malit të Zi dhe ia vnoi emnin e vet, Titograd. Millosheviçi i “Jugosllavisë së Tretë”, e miku i tij, Gjukanoviçi i Malit të Zi, tashma shtet i pavarur, u sollën ndaj shqiptarëve etnik njësoj si paraardhësit e vet: pushtues, aneksues, diskriminues, genocidial.
Krejt Malësia-Tuzi ka votue më 2006 me e shpall Malin e Zi shtet i pavarur e sovran nga vartësia 88 vjeçare e Serbisë e jo mos me ia dhanë të drejtën ligjitime për me votue e me e pas komunën e vet të pavarur, jo nën komunën e Podgoricës, jo me shpik gjukanovisht terma (anti)juridik e provokativ si “komunë urbane” apo kjo ma e fundit “Komunë e kryeqytetit”(!)
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit statusin që ia dhanë krajlët kundërshqiptarë
të Jugosllavisë së Parë (Pjetri I, Aleksandri I, Pjetri II) të cilët asokohe e ndanë në pesë komuna: Tuzi (Tuzi), Triepshi (Stjepoh), Hoti (Skorraq), Gruda (Priftën), Kuçi i Poshtëm (Ubla). Nuk po i fjalathemi Gjukanoviçit t’i respektoj vendimet e mbretërve karagjorgjeviç të Serbisë, të cilët ishin dhëndur, nipa e stërnipa të Krajl Nikollës së Malit të Zi, pasi çika e madhe e tij, Zorka (Ljubica), e shkolluar në Rusi, ishte nuse e krajl Pjetrit I, e Aleksandri ishte djali i saj, e Pjetri II ishte nipi i saj.
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit, statusin e nivelit të lartë: “Nënprefektura
e Tuzit” në vartësi të Prefekturës së Shkodrës, sikurse ia dha në “Koha e Shqypnisë” (1941-1943) Viktor Emanueli III i Italisë, dhandrri i Krajl Nikolla I, i martuar me mjeke Helenën, e cila kësokohe mbante edhe titullin fronësor “Mbretëreshë e Shqipërisë”(!)
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit statusin e dhjetëvjetëshit të parë të Titos (1945-1955) që e ndau në pesë komuna miniaturale tue shpërfill edhe identitetin fisnor të krahinës: Tuzi (Tuzi), Vuksan-Lekaj me seli në Vuksanlekaj (në vend të asaj Hoti, në Skorraq), Ubla (Ubla), Dinosha me seli në Dinoshë (në vend të asaj Gruda, Priftën) e Stjepoh (Triepshi). Askush nuk po i thotë Gjukanoviçit të aplikojnë këtë status të Titos, megjithëse ishte idealist besnik i tij, pasi ende pa i mbush 18 vjeç (1979) hyri në të vetmen parti të shtetit federal, në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) të Titos e pa kalue një dekadë arriti të jetë sekretar i saj për Republikën e Malit të Zi, derisa u krijue partia e tij, Partia Demokrate e Socialistëve (DPS), parti në pushtet tash 23 vjet.
Shqiptarët kombëtar e ndërkombëtarët euro-atlantik po i kërkojnë kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç, njëherash lider i mazhorancës qeverisëse, që t’iu rrijnë në kambë premtimeve të tij kokrrane të kohëpaskohshme. Pra, po i kërkojmë çka ka thanë vet, si më 23 shtator 2012 në QIK Malësia në Tuzi, ku sipas gazetës “Vijesti” e Radio Televizionit të Malit
të Zi, deklaroi: “…kemi obligim që të respektojmë edhe të drejtën e vullnetin tuaj se në çfarë komune dëshironi të jetoni duke pasë parasysh interesat tuaja…” dhe i porosit që të mos shqetësohen aspak, pasi ai, qeveria e partia (DPS) e tij “…do të jetë garant, se vullneti i tyre do të respektohet…”. Fjalaflitet shpeshtas për kryerjen e Referendumit, etj.
Çështja e statusit të komunës Tuzi-Malësi, kësaj pranvere 2014, mbetet e hapur ma fort, ma shumë e ma mirë se astenjëherë tjetër: E para: me e mbajt Gjukanoviçi statusin komunë urbane ka me u rrëzue në thonin e vet.
E dyta: me e mbrojt politika shqiptare e Malësisë, etj. statusin “komunë e kryeqytetit” kena me ra në klucen e Gjukanoviçit, bile ai
po i hedh do troha dhe po rri sy hapët e hakrryeshëm me e hjeksue spangon e klucimit…
Protesta shqiptare e 6 prillit 2014 në Tuzi (Malësi) dhe veçmas demonstrata e shqiptaro-amerikanëve në Uashington D.C. më 8 prill 2014 dhe lëvizjet diplomatike amerikane e ato  kombëtare politike shqiptare në ditët e vizitës së Gjukanoviçit në Uashington kishin një kërkesë të vetme për Tuzi-Malësi dhe presin një zgjidhje të vetme: komunë të plotë, të pavarur, më vete, si dy komunat e reja alpine: Petnjica (28 maj 2013) e Gucia (25 maj 2014).

3.
Ende në prill 2014 në Malësi, në visin e Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi (Shtëpitë Rakiq) ritmonte vrullshëm ngritja e një lagjeje urbane model me boshnjakë të ardhun nga veriu i Malit të Zi, nga brigje të degëve të Limit. Joshja për të ardhurit-kolonë është e madhe, pasi aty kanë infrastrukturë arsimore, mjekësore, etj. të re, i kanë magazinat 25 kompani biznesi, etj. Kjo është pjesë shovene e strategjisë të pambyllun për ndryshimin e strukturës etnike të Malësisë dhe çdo shtyrje e statusit të komunës të plotë të Tuzi-Malësi kërkon e jep kohë për realizimin e tij përshpejtues.  Përveçse lojrave e kërcenimeve politike të PDS, partia kryesore në Mali i Zi, po ndikon ngeativisht me turravrapin oreksal shoven edhe Partia Boshnjake, aleancore në pushtetin malazez e me degë edhe në Tuzi-Malësi.
Në demonstratën e Uashingtonit të 8 prillit 2014 ceket edhe një fakt i tillë: në vitin 1993 Malësia, në tokën e saj etnike, kishte 93 për qind të popullsisë së saj shqiptarë etnikë, ndërsa në vitin 2003 pati një rënie deri në 80 për qind, kurse vjet, më 2013, arriti në
65 për qind (!) Ky është një “genocid modern” i Qeverisë së Malit të Zi e i komunës së Podgoricës me politikat e tyre të moszhvillimit, mospunësimit, mosfunksionimit të shërbimeve jetësore, të shpërnguljes , etj.  ndaj shqiptarëve etnik në Tuzi-Malësi.
“Gjukanoviçi i dytë” apo ndryshe: Miomir Mugosha, “kopja e keqe e Gjukanoviçit”, ministri ma jetëgjatë në Malin e Zi (1990-2000), i zgjedhur në tri dekada në kryesi të DPS, kryebashkiaku i Podgoricës prej vitit 2000, është fati i keq i shqiptarëve të
Malësi-Tuzit, i cili e ka pengue ma së forti e ma së tepërti statusin e komunës së plotë. Ai rrgallet me gjithato akrobacina politike e juridike për statusin, kryen pengesa artificiale për vijën kufitare, për elaboratin e komunës nga një firmë e posaçme, etj., ban akte, tarafe, barrikada vote me këshilltarë e etnitë e tjera ndaj shqiptarëve, shfaqet me kërcenime force publike edhe ndaj mediave,
etj. Ai është doktor në profesionin e tij, po vet ka një sëmundje të pashërueshme “antishqiptarizmin”, të cilin ka me e manifestue me ortakëritë e tij edhe pas moskandidimit të sivjetëm për kryebashkiak i Podgoricës.
Tuzi-Malësi ka rreth 13 mijë banorë dhe siguron rreth  2.6 milionë euro të ardhura në vit, të mundshme për qëndrueshmëri ekonomiko-financiare të komunës së plotë. Diçka dihet e duket qartë: Gjukanoviç, Mugosha e Co, po e duan Tuzin-Malësi pa shqiptarë në tokën e vet etnike e në institucionet e ngritura në territoret e saj. Një dukuri të tillë shovene e hasa edhe në ecje rrugëtare pas një qëndrimi disaorësh “bllokim”(!) në Pikëkalimin Kufitar e Doganën e Hanit të Hotit, e cila ndodhet në territorin e Tuzit, ku nuk ishte asnjë shqiptar në detyrë tek dyert e trari i saj (!)

4.
Para disa ditësh, kam lexue në lajme të agjensisë “MINA” në  Mali i Zi se Malësia (Tuzi) cilësohet si “Amerikë”.Diçka duhet me pasë parasysh: Amerika është kudo, po jo kudo është Amerikë.  Po, realisht: Amerika është në Tuzi dhe Tuzi  është në Amerikë. Po, fatkeqësisht: Tuzi nuk është Amërikë!
Tuzi-Malësi, sikurse edhe Plavë-Gucia janë dy krahina etno-historike shqiptare në Ballkan (Iliri) që e kanë ma të madhe diasporen e vet në Amerikë se sa popullsinë shqiptare në vendlindjet e veta.
Vetëm në shtetin e Miçigenit (Detroit) numri i malësorëve është i barbartë (në mos ma i madh) me numrin e atyre që jetojnë në Malësi-Tuzi.
Shqiptaro-amerikanët e Malësi-Tuzit në Detroit, Nju Jork e afrinat (treshtetëshin), Boston, etj. janë lobues të mëdhenj, aktiv, të frytshëm, tejet qëndrestarë për të mbajt rrënjas në jetë identitetin shqiptar të vendlindjes dhe për të luftue për të drejtat e liritë e mohuara nga regjimi antishqiptar i Gjukanoviçit. Në përpjekjet e tyre përngjasin me hebrejtë. Ata janë kombëtarë të ëmdhenj e qytetarë të thjeshtë. Mos ua harroni Nderen, lartësojuni Emrin. Në qëndrimet e veprimet e tyre në Diasporë mbeten shqiptar gjithëkohor, si bashkatdhetarët e vet në vendlidnje, si motit, edhe sodit. Ata i kanë sytë, mendjen e zemren në vendlindje. Ata e mbajnë dorën në xhhep e në çekpër vendlindjen. Edhe malësorët e viseve të Tuzit që kanë ndrrue jetë në Amerikë e kanë shpirtin në Malësi.
Malësorët e Tuzit në Amerikë ishin në lartësi kombëtare qytetare edhe në demonstratën e 8 prillit 2014 në Uashington, si nga pjesmarrja dhe toni e ritmi i saj. Aty kishte disa parulla edhe për Malësinë. Event piedestal i shqiptaro-amerikanëve të Detroitit nga vise të Tuzit ishte leximi i mesazh-përdhendetjes të kongresmenit amerikan Gary Piters nga Miçigeni, ardhja e fjala e Don Fran Kolaj, famulltar i Kishës së Shën Palit në Detroit, fjala e zjarrtë e veprimtarëve kombëtar Luigj Gjokaj e Pashko Gjokaj nga Miçigeni dhe e politikanit Nikoll Camaj i ardhun enkas nga Tuzi, etj.
Tejet madhor në këtë demonstratë panshqiptare kundër politikave antishqiptare të Gjukanoviçit është fakti emblematik se aty në Uashington, para Shtëpisë së Bardhë e Ambasadës së Malit të Zi, folën shqiptarisht e mrekullisht: asambleisti i Nju Jorkut, Mark Gjonaj nga Reçi i Ulqinit (kryefjalës i demonstratës), Esad Gjonbalaj, president i Fondacionit Plavë-Guci e koordinator i shoqatave shqiptare me origjinë nga trevat shqiptare nën Malin e Zi e me seli në Amerikë; anamalasi Xheladin Zeneli, ish deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi i cili lexoi Peticionin me kërkesat për të drejtat e liritë e mohuara të Shqiptarëve nën Malin e Zi; atdhetari i përkushtuar,  Xhevat Kukaj, moderatori i zëshëm e meritor i zhvillimit të kësaj demonstrate; kandidati i sfidës për në Kongresin Amerikan, Emin Eddie Egriu që garon fortmirë në Distrikti 20 të Nju Jorkut; kryetari  aktiv i shoqatës “Ana e Malit”, Ismet Kurti; nënkryetari i Shoqatës Pan-Shqiptare “Vatra”, z. Asllan Bushati i cili foli në emër të kryetarit të saj fisnik, dr. Gjon Buçaj; kryetari i shoqatës “Kombi”, Artur Vrekaj – penë zemërflaktë e Shqiptarisë; presidenti organizator i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, z. Maro Kepi; veprimtari atdhetar Naim Balidemaj, e të tjerë.
Një nga kulmet e demonstratës ishte edhe takimi i një përfaqësie të demonstruesve me kryesues të përzgjedhur e nderimtar, asambleistin Mark Gjonaj, të cilët u takuan në mbrëmjen e 8 prillit 2014, pas demonstratës, me kongresmenin Eliot Engel e kongresmenë të tjerë, ku iu banë të njohura kërkesat e shqiptarëve, ndër të cilat edhe çështja e statusit të komunës së Tuzit. Këto iu përcollën edhe nga shqiptarët, zyrtarisht e ballas, edhe kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, gjatë vizitës së tij në Amerikë (8-10 prill 2014). Në koft se nuk i kujtohen mirë patjetër që do t’i vijnë në mendje shpejt. Zoti e Shqiptarët e Malësisë në
Trojet e veta etnike dhe në Amerikë, si edhe në Europë, e kanë ruajt  Tuzin etnik shqiptar: i kanë mbajt genet e pastra shqiptare e nuk i kanë lëshue për krejt vendbanimet në relievin e saj gjeo-strategjik.
Para do ditësh i ndjeva malësorët në Bardhaj të Hotit të Dedë Gjo Lulit tue u dvet ndërveti: A je te kulla e moçme apo ke ra në Tuz? Pra, ende në kullat shqiptare del tym, çprushen kujtime, çelin ëndrra, bashkëjetojnë eposi i kreshnikëve dhe epoka euro-atlantike.
Komuna e plotë Tuzit (Tuzi-Malësi) vërtetë është barometër për Demokracinë euro-atlantike e mburojë për Malësinë etnike shqiptare ndaj diskriminimit, asimilimit e shpërnguljes së shqiptarëve të saj, po nuk është zgjidhja e vetme e as e fundit, po as Malësi-Tuzi nuk është e vetme në mbijetesën e saj, në vetqeverisjen e saj plotore, në mangësi, vështirësi e arritje të sotme e të nesërme të saj.
Amerika është në Tuzi e Tuzi është në Amerikë.