Anton Berishaj, u.d. i rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”

Anton BerishajPrishtinë, 7 mars – (E plotësuar) Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës zgjodhi për ushtrues detyre të rektorit Anton Berishajn.

Profesori i sociologjisë dhe anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Berishaj, u zgjodh me 7 vota pro dhe dy kundër të Këshillit Drejtues.

Ushtruesi i sapozgjedhur i detyrës së rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, Anton Berishaj, u lind më 13 korrik 1954 në fshatin Priftën të Malësisë. Shkollën e ulët fillore e kreu në Priftën, tetëvjeçaren në Tuz, ndërsa gjimnazin në Ulqin.

Në vitin shkollor 1978/79 u diplomua në Degën e Filozofisë dhe Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Një kohë ishte profesor i lëndëve filozofi, sociologji, psikologji në disa shkolla të mesme në Prishtinë e Tuz, ndërsa karrierën universitare e filloi në vitin shkollor 1983/84, së pari asistent i angazhuar, e më vonë ligjërues, fillimisht në lëndët “Sociologji industriale” dhe “Struktura e shoqërisë”, në Degën e Filozofisë dhe Sociologjisë, e më vonë “Sociologji e përgjithshme” në Fakultetin e Mjekësisë.

Më 1983/84 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Degën e Sociologjisë të Universitetit të Zagrebit, ku u diplomua në vitin shkollor 1986/87. Në korrik të vitit 1997 po në këtë universitet mbrojtje temën e doktoranturës, me titull: “Ndryshimet familjare në Malësi”.

Në vitin shkollor 1997/98 mori titullin docent për lëndët “Struktura dhe zhvillimi shoqëror” dhe “Sociologjia e përgjithshme II”. Më 2005, u zgjodh profesor i rregullt. Aktualisht ligjëron në bachelor dhe master lëndët “Sociologji e migrimeve”, “Sociologji e religjionit”, “Hyrje në sociologji”, “Sociologji e familjes”, “Struktura e shoqërive bashkëkohore”, “Organizimi dhe zhvillimi shoqëror”, “Puna dhe organizata” dhe “Martesa dhe familja”.

Në dhjetor të vitit 2012 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Është autor i disa veprave shkencore e monografive si dhe tekstesh shkollore nga fusha e sociologjisë, të botuara në Kosovë e jashtë saj, si dhe e punimesh shkencore.

***

Në garë për U.D. të rektorit Muzafere Limani e Anton Berishaj

12:28-Prishtinë, 7 mars – Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës sapo ka dalë në një pushim, pas një mbledhjeje në të cilën duhet të zgjedhë ushtruesin e detyrës së rektorit.

Burime të Koha.net bëjnë të ditur se në garë për këtë post kanë mbetur Myzafere Limani, profesoreshë e inxhinierisë elektrike e kompjuterike, dhe Anton Berishaj, profesor i sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Nga gara sot janë tërhequr Abdullah Zejnullahu dhe Naser Zabeli, ndërsa më herët këtë e kishte bërë edhe Qendrim Gashi.

Universiteti i Prishtinës ka mbi një muaj qysh se ka mbetur pa rektor, pas dorëheqjes së Ibrahim Gashit dhe prorektorëve të tij, pas skandalit me avancimet e tyre dhe të protestave studentore. /Koha Net/