BE dhe politika e standardeve të kundërta ndaj shqiptarëve

xheladin-zeneliTraktati i Bashkimit Europian, respektivisht dispozitat e përgjithëshme që bëjnë fjalë për të drejtat e njeriut dhe minoriteteve, neni 2, i saj  thotë:
“Unioni ( Europian) është themeluar mbi vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve…”.

Si  zbatohen në realitet vlerat demokratike,posaçërisht ajo  e barazisë në mes kombeve dhe kombësive të tjera në krahasim me pjesët e popullit shqiptar që jetojnë jashtë shteteve të tyre amë ( Shqipëria dhe Kosova) por në trojet e veta etnike brenda kufijvë administrativ të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, vlen që të flitet përmes gjuhës së fakteve. Dhe faktet dëshmojnë në favor të asaj se BE, përkatësisht strukturat e saja vendim-marrëse që janë përgjegjëse për imlementimin e politikës ndaj shteteve jo anëtare , udhëheqin  një politikë të standardeve të kundërta dhe të precedenteve të ndryshme ndaj shqiptarëve, në krahasim me kombet dhe kombësit e tjera në rajon që mund të karakterizohet si politikë diskriminuese ndaj tyre ( pra, shqiptarëve).

Sipas regjistrimeve zyrtare të vitit 2011, përqindja e strukturës kombëtare e popullsisë së Kosovës është 93% shqiptarë dhe 7% pjesëtarë të kombësive të tjera. Emblemi i flamurit zyrtar i shtetit të Kosovës, i imponuar nga Bashkësia Europiane, ka gjashtë yje në përbërjen e vet, të cilët simbolizojnë dhe përfaqësojnë nacionalitetet  kryesore në Kosovë (shqiptarët,serbët, turqit, boshnjakët,romët dhe goranët). Mali i Zi, sipas regjistrimeve të vitit 2011 ka këtë përbërje nacionale: 45% me popullsi malazeze, kurse 55% e popullsisë është me përkatësi kombëtare jo malazeze , ku përfshihen edhe shqiptarët si popull autokton.  Flamuri i shtetit të Malit të Zi simbolizon vetëm një popullate  malazez dhe në përbërjen e tij nuk ka asnjë ” yll” apo shenjë që tregon se në këtë shtet jetojnë edhe popuj të tjerë, me përqindje shumë ma të madhe se në Kosovë. Kurse flamuri i Maqedonisë nuk ka asnjë simbol në përbërjen e vet i cili do të tregonte prezencën e elementit të madh shqiptar në këtë republikë.

Gjithashtu, Kosova me 93% shqiptarë quhet “shtet multietnik”, Maqedonia me rreth 40% shqiptarë, quhet”shtet i maqedonëve”, kurse Mali i Zi , me popullsi malazeze 45%, quhet “shtet i malazezëve” ( !?). Derisa Brukseli angazhohet për avancimin e statusit ( veçse të avancuar) të serbëve në Kosovë, në të njëjtën kohë hesht për të drejtat e cënuara të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. BE përkrah lidhjen ( asocionin) e komunave me popullsi serbe në Kosovë, por deri më sot, ende nuk është prononcuar  lidhur me të drejtën e formimit të Komunës së Malësisë (Tuzit) si komunë të barabartë me komunat e tjera në Mal të Zi !

– A janë  këto shembuj i dy standardeve të kundërta të BE që implementon dhe praktikon  në një pjesë të kontinentit të vet , përkatësisht  në raport me at pjesë të popullit shqiptar që jeton brenda kufijëve administrativ në Mal të Zi,në Maqedoni dhe në Serbi ?

–  Nëse shqiptarët trajtohen në këtë mënyrë para se shtetet e tyre përkatëse administrative bëhen pjesë e Bashkimit Europian, atëherë kush garanton se ata ( pra, shqiptarët) do të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, pasi që të bëhen pjesë e BE apo të ashtuquajturës ” familje europiane” ?

Shqiptarët si një ndër popujt më të lashtë të kontinentit europian, gjatë gjithë historisë së vet, e kanë dëshmuar fuqishëm pro europianizmin e tyre, por është çështje tjetër se sa , e njëjta Europë është treguar e drejtë  dhe e pa anëshme në vlerësimin e kërkesave  të arsyeshme dhe legjitime të shqiptarëve !?

Europa e shekullit të 21 nuk mund sillet me botëkuptimet e shekullit 19-të. Akrepat e orës së saj duhet të ecin përpara edhe për shqiptarët, njëlloj si edhe për të tjerët . Shqiptarët  dëshirojnë të jenë pjesë e një Europe  bashkëkohore, pra e një Europe e cila i ka tejkaluar botëkuptimet dhe paragjykimet e së kaluarës në raport me shqiptarët dhe që është e ndieshme dhe e gatshme të gjykojë drejtë ndaj një populli të cilit iu janë bërë dhe që fatkeqësisht, gjithënjë vazhdohet  t’i bëhen padrejtësi politike dhe kombëtare.

Xheladin Zeneli
Prilll 2015

xheladin-zeneli