Deklarata e Ulqinit dhe populli i cili mungon

Martin BerishajProf.Dr. Martin Berishaj

Debati politik për dhe rreth shqiptarëve nën Mal te Zi përjeton pickime qe çojnë në luhatje të dukshme në hapësirën politike, që tashmë është bërë si rregull në rajon; nga pranvera deri ne vjeshtë. Në këtë hark kohorë nga akterët qe i kontrollojnë proceset, sprovohet për të shumtën herë pika e vlimit ndër shqiptarë. Kontradiktat brenda llojit të vet politik, qe përfushën rreth asaj se kush dhe kujt i takon “kryet e vendit” në bazë të një loje par exellence të shpikur vetëm në Mal te Zi (rreth ndarjes se mandatit!) e ngulfatë edhe ashtu statusin e ngulfatur politik të shqiptarëve në njërën anë, kurse në anën tjetër del si përpjekje e subjekteve nacionale për të kapërcyer nga politika në praktike morale apo moralizim politik. Ky lloj vendnumërimi i tyre e shpalon zgjuarsinë e pushtetit malazias për të shterpëzuar subjektet që i prijnë një »fryme shqiptare« të cilët, në vend që të bëjnë hap cilësorë dhe të ndërtojnë një konsens politik rreth çështjeve vitale nacionale brenda hapësirës shqiptare nën Mal të Zi, përpiqen ta »moralizojnë« politikën.

Kështu, duke u sjellë në rreth vicioz e tërësisht pa perspektivë politike e nacionale, mundohen të heqin fajin nga vetja duke akuzuar partitë tjera “konkurruese”, se ato qenkan dhe janë “joparimore« ne rrugëtimin për t’i sjell votuesit një jetë më të mirë. Por këto parti, pa përjashtim votuesin shqiptarë e perceptojnë vetëm si numër , që mbase palcën nacionale ka kohë që ia kanë shterur.

Në vend që të veprojnë konkretisht, ata ofrojnë një retorik bardhë e zi duke shpaluar paaftësinë e vet politike për tu ballafaquar me detyrën që (u) kanë dhanë. Si rrjedhojë e kësaj sjelljeje në politikë, kjo strukturë mbështetet në format e “sprovuara” duke bërë me gisht te të tjerët dhe duke i fajësuar krejt pjesëmarrësit për gjendjen e keqe në të cilën e kane sjellë vete ata. Në këtë mënyrë ata përpiqen t’i hapin vetës fushëveprim për një kohë (sipas mundësisë të papërcaktuar) vetëm e vetëm për një qellim, të gëzojnë privilegjet e pagës mujore!

Popullizmi, pra është një formë mjaftë e sofistikuar për një moralizim të tillë ne politikë. Në shikim të parë duket si një marrëdhënie fisnike ndaj popullit ( votuesit). Vazhdimësia e kësaj logjike lidhet në vetënjohjën e kulturës politike zyrtare (lexo malaziase!) duke bërë dallim dhe duke u distancuar nga ajo kulturë »e te pakulturuarve« (lexo të shqiptarëve) me tendencë të përthithjes sa më parë ne »kulturën« e tyre.

Vijat shortuese të kësaj kulture politike

  • Imponimi i flamurit shtetërorë malazias (me vend e pa vend, edhe në bukëpjekëse, rrojtore dhe natyrisht ne restorante! vetëm e vetëm per tu quajtur »etnorestorane«, por natyrisht jo shqiptare,

  • Imponimi i gjuhës malaziase (për hir të vërtetës unë nuk shoh dallim, nga ajo »lingua franca« serbishtja si strukturë) duke larguar në mënyre perfide dhe konsistente gjuhën shqipe dhe duke zëvendësuar me gjuhë »zyrtare« (mbase në konceptin e tyre të perceptimit politik gjuha shqipe nuk qenka zyrtare!) ne institucione; tek shërbyesit civilë, në biznese private, dhe për fat të keq kapërcimi i këtij lloj ideologjizimi edhe brenda familjes shqiptare.

Ky depërtim i paskrupullt i pushtetit, e shpjegon këtë përthithje »kulturore« se është po aq kulturore sa edhe normale (!), mbase edhe zyrtare, e që si synim dhe rrjedhojë, ka cakun e qartë që të ketë sa ma pakë shqip në të menduar dhe të vepruar në të gjitha rrafshet filluar prej mungesës se emrave shqiptarë në institucione që fatkeqësisht është bërë normë, si ruajtje me xhelozi të emërtimeve ideologjike të institucioneve arsimore siç është rasti i Gjimnazit »25 maji«. Kësaj padyshim i paraprinë neglizhenca jonë kolektive për ti ndryshuar ato. Natyrisht, për ta ndërruar këtë datë ideologjike dhe për të mbetur vetëm emërtimi »Gjimnazi i Tuzit« nuk ka ndonjë filozofi.

E gjithë kjo lehtësisht behet në Kuvendin komunal në Tuz e që këtë procedurë duhet të iniciojnë partitë politike me një konsens minimal. Me këtë ata subjekte politike do të vrisnin frikën dhe me të po ashtu arsyetimin e tyre bosh se »nuk guxojnë ta bëjnë atë gjë« sepse nuk i lë Podgorica, dhe se kjo nuk është në Rregullore (!) apo në kompetencë të Komunës Urbane, thuaja se Rregullorja e statuti i sajë janë libra të shenjtë dhe nuk mund të ndryshohen.

Ndërrimi i kësaj date do të ishte si fillim dhe ndjellje e mirë për emërtime të reja, për emërtimin e Shtëpisë së Shëndetit në Tuz në »Shtëpia e shëndetit dr. Lukë Gjokaj« se, ky emërtim do të nderonte jo vetëm Malësinë por edhe të gjithë atë që ky humanist bëri për pacientët e tij dhe për vendin në përgjithësi. Ndërrimi i emrit te bibliotekës »Radosav Lumoviç« me »Biblioteka e Malësisë«. Ky efekt i ndërrimeve do të shërbente si tharmë sa për fillim për të bërë efektin domino në emërtime të rrugëve ne Tuz dhe në fshatrat përreth, kurse në anën tjetër do të fuqizonte ndjenjën se ky vend ka zot.

Në rrafshin individual lehtësisht dallohet mungesa dhe neglizhenca e bartësve vullnetarë të mbiemrave shqiptarë të sllavizuar me prapashtesën (viç) dhe po ashtu presioni i shoqërisë civile për të filluar fushatën e ndërrimit të tyre. E natyrshme do të ishte thirrja e subjekteve politike drejtuar atyre personave për ti ndërruar ato dhe për ta rikthyer identitetin e humbur. Kjo fushatë është e domosdoshme që të fillohet sa më parë.

  • Mungesa konstante e këmbënguljes sonë në të gjitha rrafshet nisur nga subjektet politike e deri te shoqëria civile e cila nuk ekziston si e tillë, e që do te duhej të ishte korrigjues efektiv i jetës publike,

  • Mungesa e kurajos qytetare, në rend të parë e subjekteve nacionale për t’iu kundërvuar politikave zvarranike të Kosovës dhe të Shqipërisë sa i përket çështjes së relacionit ndaj pushtetit në Malit të Zi dhe sjelljes së tij karshi nesh sa i përket statusit tonë si popull autokton.

Nga kjo qe u cek me lartë, është i domosdoshëm organizimi i debateve të hapura për probleme vitale që e mundojnë shoqërinë shqiptare nën Mal te Zi, për të sfiduar së pari veten e pastaj edhe pushtetin i cili na e ka nxënë frymën. Debatet e hapura hapin fushëveprim për të gjithë që për një arsye apo tjetër nuk kyçen në jetën publike por jetojnë në mëshirën e asaj se kush çka do te thonë për ne, dhe çka do të thonë Podgorica (duke i imponuar Prishtinës dhe Tiranës qëndrimet politike dhe zyrtare) për te ardhmen tonë sikur ne nuk jemi te gjallë.

Frustrimi, apo më mirë të themi gjendja shpirtërore e shqiptarëve nën Mal të Zi, që e ka kapluar qenien tonë, na vendos ne rrafshin politologjik të konceptit të popullit që mungon. Synimet tona për ndryshim të pozitës sonë në çështjet tona, nuk realizohen thjeshtë duke e pasur ëndërr atë, por si pasojë e zhvillimit dhe emancipimit të brendshëm të shoqërisë. Kjo nënkupton faktin se emancipimi i shqiptarëve nën Mal të Zi nënkupton emancipimin e shqiptarizmës nga pushteti dhe shteti malazias, jo duke ikur nga vetja si shqiptarë por duke e fuqizuar subjektivitetin tonë.

Këtu i ka rrënjët diskursi më të cilin pushteti malazias na frikëson me idenë se sa më pak të mendojmë shqip, të flasim dhe të veprojmë për vete dhe për Malësinë, aq me të mirë jemi për Mal të Zi dhe shtetndërtimin e tij!

Nisur nga ky fakt, nacionalizmi ynë nuk rrezikon, por ai është në rrezik për tu zbehur deri në pafundësi, me ç’rast ne shfaqemi si pasojë dhe shkak kurse nacionalizmi që shteti malazias ushtron ndaj nesh vjen e bëhet i padukshëm nga mosprania jonë për të kundërshtuar atë.

Jo rrallë herë pushteti malazias kërkon nga subjektet politike shqiptare që më gjithë “forcën” që kanë, të jenë të zëshëm rreth integrimeve evroatlantike të Malit te Zi për dëshirat e tyre në kushtet kur na e mohojnë vullnetin dhe administrimin e votës sonë dhe na e kushtëzojnë atë, në vend që të jetë e kundërta, të kushtëzojmë ne Malin e Zi me gjuhën e vullnetit politik dhe të drejtës sonë në rrugën e tyre aq të dëshirueshme (pa ne si subjekt) në familjen e madhe evropiane. Kërkesa jonë duhet të jenë shumë e qartë dhe e padiskutueshme rreth statusit tonë. Ajo nuk duhet assesi të ngelë në rrudhje të kërkesave dhe synimeve tona nacionale duke na qorruar me premtime boshe se do të na japin komunën në pranverë apo në dimër. Komuna është faza e parë që mundëson rrugëtimin tonë drejt integrimeve brendashqiptare si mikrostrukturë dhe synim për të shkuar krahas rrjedhave që Evropa i dikton Malit te Zi, pra Regjionit si pushtet i ndërmjetëm.

Deklarata e Ramës në Ulqin lidhur me bashkimin kombëtarë në krahasim me debatin brendapolitik shqiptarë duket jashtëkontekstuale për politikanët e këtushëm, mbase kërkesat e tyre janë rrudhur aq sa tejkalojnë edhe pritshmërinë malaziase rreth tyre. Forca centrifugale e iniciuar jo rastësisht ndaj çështjes nacionale shqiptare dhe ndaj Deklaratës se Ulqinit gjeneron perceptimin që kjo dhe deklaratat për dhe rreth shqiptarëve në rajon janë si diçka që nuk kanë të bëjnë me shqiptarë nën Mal të Zi, mbase çështjen nacionale dhe interesin nacional e kanë strukur dhe reduktuar brenda kontekstit të popullit të munguar. Mungesa e të cilit vërehet në:

  • Kërkesa politike, të cilat nuk janë gjë tjetër por përpjekje shterpe për përmirësim të Ligjit për administrim lokal te shtetit malazias e që në aparencë “shitet “ si kërkesë nacionale,

  • Kërkesa kulturore të cilat pushteti i ka izoluar rreth asaj se a do të shuhet apo jo “Koha Javore”, e që, në fund po ai pushtet tregohet ”zemërgjerë “ ndaj këtij mediumi ”të pavarur”, me të hollat e tatimpaguesve e mbështet” deri në një moment kur e shohin të arsyeshëm për gjenerime të reja, dhe në fund

  • Kërkesa për të qenë zot shpie në shtëpi të vet, ku gjithnjë e më shumë neutralizohet prezenca jonë dhe shtohet mosdukshmëria e popullit i cili një ditë mund edhe të ndalohet!