Demarkacioni i kufirit Mal i Zi – Kosovë pritet të shkaktojë protesta

Harta-e-KosovësKa mbetur çështje javësh kur Kosova e Mali i Zi, pritet t’i ndajnë territoret me vijë kufitare. Por dikush paralajmëron palët që të mos nguten me shënimin e këtij kufiri, pasi banorët e anës së Rugovës nuk do të pajtohen që t’u mbesin pronat jashtë territorit të shtetit të tyre.

Pas një pune të gjatë të komisioneve ndërshtetërore, paralajmërimin për demarkacion të kufirit e ka dhënë para pak ditësh vet presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Këtë e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar në Ulqin me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Edhe Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shënimin e Vijës Kufitare konfirmon se së shpejti do t’i dorëzojë Qeverisë së Kosovës raportin për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Por është dikush që i paralajmëron palët që të mos nguten me shënimin e këtij kufiri, pasi banorët e anës së Rugovës, nuk do të pajtohen që t’u mbesin pronat jashtë territorit të shtetit.

Është Ali Lajçi, i cili si vëzhgues dhe këshilltar në Komisionin e Kosovës për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, thotë për Tribuna Channel se së shpejti do të ketë protesta për këtë çështje nga banorët e asaj pjese.

Vijëzimet e caktuara nga kadastri dhe gjeodezia e Malit të Zi, sipas tij, janë të papranueshme për banorët e asaj zone.

“Këto vija depërtojnë nga 5 deri 8 kilometra dhe marrin bjeshkë dhe vendbanimet më të mira shfrytëzuese,”shprehet Lajçi.

Ai përmend zonën rreth vendkalimit kufitar të Kullës dhe atë në pjesën e Çakorit në Rugovë, si dy zonat më problematike.

E diskutueshme, sipas tij, vazhdon të mbetet edhe e gjithë vija kufitare përgjatë kufirit perëndimor të Kosovës, duke përfshirë edhe fshatrat rrëzë bjeshkës së Hajlës.

Sipas variantit të malazezëve, në këto dy zona, kufiri zbret deri tek Ura e Zhlebit në Kullë dhe deri në Kuqishtë dhe te Leqinati në Rugovë.

Lajçi kritikon delegacionin e Kosovës në Komision, të kryesuar nga Murat Meha, duke thënë se ky delegacion ka qenë pasiv dhe se gjithherë i ka pranuar propozimet e malazezëve.

“Prandaj të kenë kujdes në komisione parlamentare të gjithë mekanizmat, që të ndalohet sepse do të jetë problem dhe mund të ketë konflikt. Në këtë rast edhe Kuvendi i Kosovës i cili duhet ta ratifikojë këtë marrëveshje me 2/3 e votave duhet të ketë kujdes dhe duhet të mos i japë legjitimitet kësaj vije e cila është vetëm në interes të malazezëve dhe prekja e vijave tona hapësinore është e papranueshme”, deklaron Lajçi.