Dukaj: Do të lejohet në përdorim Abetarja Kombëtare

abetarja kombetareNga viti i ri shkollor, nxënësve shqiptarë do të u mundësohet përdorimi i Abetares Kombëtare, njofton Marash Dukaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë për arsimimin e popujve pakicë.

Në një postim në facebook Dukaj sqaron se Abetarja kombëtare do të lejohet në përdorim si mjet ndihmës didaktik për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Lexoni deklaratën e plotë:

Kam kënaqësi të veçantë të ndaj me Ju faktin që Abetarja kombëtare i ka kaluar tashmë të gjitha procedurat e nevojshme, pra është lejuar të jetë në përdorim që nga fillimi i vitit të ri shkollor, si mjet ndihmës didaktik për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Pas një angazhimi të madh të filluar nga ish drejtori gjeneral në Drejtorinë e arsimit pranë Ministrisë së arsimit të Malit të Zi, tashmë deputet, z. Nikë Gjeloshaj, projekti i Abetares u finalizua me sukses. Është një gëzim i madh për të gjithë dashamirët e arsimit shqip, kudo që ndodhen, për faktin se edhe nxënësit shqiptarë në Mal të Zi do të mësojnë shkronjat e gjuhës shqipe, ashtu si moshatarët e tyre bashkëkombës në Tiranë, Shkodër, Tetovë, Prishtinë, Bujanovc, Preshevë etj.

Në emrin tim personal si dhe në emër të Drejtorisë që drejtoj e bashkëpunëtorëve të mi, dua të falënderoj mësuesit shqiptarë e drejtorët për idetë dhe mbështetjen e tyre që na dhanë gjatë vizitës sonë nëpër shkolla, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, të realizuar në periudhën maj-qershor.

Falënderoj Këshillin Kombëtar të shqiptarëve, Entin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore, Këshillin kombëtar të arsimit në nivel të Malit të Zi.
Veçanarisht falënderoj Ministrin e arsimit me Z. Predrag Boshkoviq , i cili përkrahu pa rezervë projektin e Abetares dhe shumë çështje të tjera që i shkojnë në favor përmirësimit të situatës së arsimit për shqiptarët në Mal të Zi.

Të nderuar miq, angazhimin tim në Drejtorinë e arsimit e kam përjetuar dhe vazhdoj ta përjetoj si detyrë profesionale, jo politike. Çështja e Abetares kombëtare, pasurimi i shkollave me kompjuterë, mjete e lektyra shkollore, përkrahja e studentëve për regjistrim, nostrifikim diplomash, stipendim në fusha deficitare, intervenime në programet shkollore, sidomos për lëndët e identitetit kombëtar, përmirësimi i emrave, toponimeve në tekstet shkollore, vizita në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, si dhe shumë çështje të tjera nuk i përkasin vetëm Alternativës Shqiptare, apo ndonjë partie tjetër politike nacionale ose qytetare, por i përkasin të gjithë shqiptarëve në këto treva pa dallim bindjesh politike.

Problemet me të cilat ballafaqohet arsimi shqip janë grumbulluar shumë kohë më parë. Duke e ditur faktin që arsimi në përgjithësi është një prej fushave më të gjera të shoqërisë, nevojat dhe kërkesat do të ekzistojnë gjithmonë dhe do të jetë shumë vështirë për t’i realizuar në tërësi.
Unë, deri sa të jem në këtë detyrë, do të përpiqem që t’i qasem me përkushtim dhe profesionalizëm zgjidhjeve të situatave dhe kërkesave që ka arsimi shqip dhe ai i pakicave në përgjithësi. Me këtë rast ftoj të gjithë mësuesit, drejtorët, si dhe të gjithë ata që njohin dhe ia duan të mirën arsimit shqip që të jenë të lirshëm e të më kontaktojnë pa hezitim. Unë do angazhohem për të kërkuar atë çfarë na takon me ligjshmërinë për arsimin, me konventat ndërkombëtare e dispozita të tjera që nxënësit dhe mësuesit tanë të ndihen të barabartë në shoqëri, ashtu siç synon Bashkimi Evropian.