Faji jemi ne… – Nga Zef Ujkaj

zef ujkaj“0, si nuk kam një grusht të fortë 
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë…”
Recital i Malësorit, Migjeni

Faji jemi ne…

Toka e të parëve të mi, Malësia heroike, e shtrirë në breg të Liqenit të Shkodrës, rrëzë Alpeve Shqiptare duket sikur ka kohë që ka harruar dhe shpërfillur identitetin e vet. Vendi që në vazhdën e shekujve ka mbrojtur historinë, gjuhën, zakonet dhe traditën shqiptare, duket sikur sot me apo pa qëllim është zhytur në një mjegullnajë pesimizmi dhe heshtjeje, prej së cilës po duket se nuk do me dalë.
Malësorët sot po harrojnë se ruajtja e identitetit të tyre kombëtar është e lidhur ngushtë me respektimin e të drejtave themelore të tyre dhe se është obligim i secilit për të mbrojtur këto të drejta për një të ardhme sa më të mirë. Por duket sikur sot ata nuk kanë guximin dhe kurajën për të vënë në vend atë çka u është mohuar apo vazhdon t’u mohohet dita ditës.
Personalisht ndiej keqardhje teksa shoh se bashkëqytetarët e mi i janë nënshtruar politikës çkombëtarizuese të Malit të Zi që përpiqet çdo ditë e më shumë të shkelë mbi të drejtat tona dhe më e keqja është se ndoshta jemi ne ata që u mundësojmë realizimin e projekteve të tyre me karakter asimilues apo tjetërsues duke u dhënë votën tonë dhe duke u lënë dorë të lirë dhe terren të mjaftueshëm veprimi.
A e kemi pyetur ndonjëherë veten ne se mbi shpatullat e kujt bie përgjegjësia apo faji për krijimin e një situate rënduese?
Mendoj se faji kryesor bie mbi ne, mbi votën e shqiptarëve, e cila për fat të keq ka marrë sot trajtën e një “shkopi” që bie çdo ditë mbi kurrizin tonë. Ne heshtim dhe në këtë mënyrë dashur pa dashur bëhemi bashkëpunëtorë të politikës së tyre që na keqtrajton dhe na privon nga të drejtat tona. Me sa duket ne akoma nuk jemi në gjendje të kuptojmë se me votën tonë ne vrasim të ardhmen e fëmijëve tanë.
Janë një sërë çështjesh që sot duhet të përbëjnë pikën tonë të referimit. Duke u ndërgjegjësuar, ne vetë mund të bëhemi shpëtimtarët e situatës.
– Një nga problemet më shqetësuese është ai i arsimimit të brezit të ri.
Shumë prej teksteve mësimore si ato të Historisë, Gjeografisë, Artit, Muzikës etj, tekste të miratuara nga Ministria e Arsimit të Malit të Zi, përmbajnë fatkeqësisht fragmente në të cilat përçmohen apo përbuzen shqiptarët. Për pasojë të indiferencës sonë këto tekste lexohen, mësohen apo pranohen nga fëmijët tanë. Dhe ne nuk marrim as mundimin më të vogël për të ngritur zërin për zgjidhjen e kësaj situate alarmante. Jo vetëm që do të duhej të kundërshtonim publikimin e teksteve të tilla, por do të duhej t’i bojkotonim dhe pse jo të kërkonim unanimisht unifikimin e teksteve mësimore me Shqipërinë dhe Kosovën. Problem tjetër i prekshëm është ai i infrastrukturës së ambienteve të shkollave shqipe, mungesa e sallave sportive, oborreve, lulishteve etj.

– Nëse do ta drejtonim vëmendjen tonë drejt rëndësisë së ruajtjes së kulturës dhe pasurive kombëtare do të na duhej të përballeshim me një tjetër problem. Do të duhej të ndërgjegjësoheshim përballë faktit që Muzeut të Dedë Gjo Lulit dhe sidomos Muzeut Etnografik të Malësisë nuk po u jepet rëndësia e duhur dhe për më tepër shpeshherë ky i fundit po ndihet i kërcënuar nga ndërprerja e qëllimshme e energjisë elektrike apo mungesa e fondeve për mirëmbajtje.

– Ç’do të thoshim për lënien në harresë të ideologjisë së figurave të Gjergj Fishtës, Pashko Vasës, Naim Frashërit, Mulla Idriz Gjilanit etj, që me veprat e tyre bënë të mundur bashkimin e kombit shqiptar? Lënia në harresë e ideologjisë së tyre nuk bën gjë tjetër veçse çon Malësinë tonë drejt ndarjes fetare, ndarje e cila favorizohet kryesisht prej pushtetit të Malit të Zi dhe në mënyrë të veçantë nga disa parti politike shqiptare. E gjithë kjo vjen si pasojë e mosnjohjes së konceptit të besimit apo të mënyrës së të perceptuarit të parimeve fetare prej rilindasve shqiptarë. Sipas tyre orientimet fetare nuk duhet të luajnë rol parësor kundrejt interesave kombëtare. Kjo është ideologjia mbi të cilën mendoj se do të duhej të bazohej Malësia sot, sidomos në situatën në të cilën ndodhet, e kërcënuar nga interesa përçarëse armiqësore.

– Për të mos folur për mungesën e sigurisë… Sot duhet të sensibilizohemi më shumë se kurrë për t’u ndier vetvetja. Jo më larg se një muaj më parë Parlamenti i Malit të Zi kërkoi hetim dhe arrestim të shqiptarëve që organizuan manifestimin për ndjekjen e ndeshjes së skuadrës kombëtare, ndërsa mediat malazeze na ofenduan me shkrime raciste. Është e turpshme të mos reagosh ndaj incidenteve të tilla kur për më tepër brenda tyre përfshihen dhe fëmijët. Si mund të ndihen të sigurt fëmijët tanë përballë keqtrajtimit që u bën dikush vetëm sepse brohorasin për të mbështetur Kombëtaren Shqiptare, duke u kërcënuar me përjashtim nga shkolla, lëndime nga nxënës joshqiptarë apo keqtrajtime nga policia e shtetit?

– Shtëpi të braktisura, toka të lëna djerrë, njerëz që largohen për arsye se nuk kanë mundësinë e punësimit në vendin e tyre… Si pasojë e fenomenit të emigracionit një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Malësisë largohet për të mos u kthyer, gjë që çon në shkretimin e trojeve shqiptare dhe kolonizimin e tyre nga banorë të etnive të tjera. Kolonizim që ka çuar në asimilim pothuajse të plotë Plavën, Gucinë, Rozhajën dhe Tivarin dhe që kërcënon sot Malësinë dhe Ulqinin. Pyetja që lind është se si mundemi ne të parandalojmë “shkuljen” e shqiptarëve nga tokat e tyre dhe të ndalojmë procesin e kolonizimit të territoreve që na përkasin?

– Një tjetër shqetësim që pret prej kohësh t’i jepet zgjidhje është çështja e përfitimit të statusit të Komunës së Malësisë ­ Tuzit si një komunë e pavarur e cila i ngjan një ëndrre në sirtar. Kërkesa për një komunë të pavarur është parashtruar sakaq dhe zvarritja apo shtyrja e realizimit të kësaj kërkesë bie ndesh me interesat tona në Mal të Zi. Aq më tepër që disa prej përfaqësuesve të kryesisë ekzistuese të kësaj gjysëmkomune, të ashtuquajtur urbane jo vetëm që nuk ndihen shqiptare, por as nuk flasin gjuhën shqipe, në një vend ku shumica dërrmuese e popullsisë përbëhet nga shqiptarë autoktonë.
Pra pretendimi ynë për një komunë me kompetenca të plota mbetet detyrë që duhet çuar deri në fund.

– Problemi i njohur i tjetërsimit të pronave në Ulqin, Malësi, Plavë,Guci, Rozhajë dhe Tivar nga qeveria malazeze është obligim i yni për të kërkuar kthimin e tyre qytetarëve shqiptarë. Prapa këtij veprimi të qeverisë malazeze sigurisht fshihet qëllimi i ndryshimit të raporteve etnike të trevave shqiptare në Mal të Zi.

– Një çështje me rëndësi të veçantë përbën ekonomia e Malësisë, e bazuar në prioritetet e saj, bujqësinë dhe blegtorinë. Meqenëse Malësia ka kapacitet për të furnizuar gjithë Malin e Zi dhe më gjerë me produkte bujqësore dhe blegtorale shtrohet pyetja pse në Malësi nuk ekziston një qendër grumbullimi e fruta-perimeve apo një qendër grumbullimi e produkteve të bulmetit? Mendoj se edhe pse shteti nuk na ndihmon me zgjidhjen e këtij problemi shihet e udhës që emigracioni të mund të mbështesë Malësinë me anën e një projekti dinjitoz që do të sillte punësim dhe mirëqenie sociale.

– Po ç’mund të themi për rolin e politikanëve shqiptarë që de juro janë pjesë e pushtetit qendror dhe të lënë përshtypjen sikur janë opozitë, por në fakt të krijojnë një lloj mosbesimi me qëndrimet e tyre? Sipas mendimit tim nëse de juro janë pjesë e qeverisë ata duhet të pretendojnë për poste të larta shtetërore për të bërë të mundur realizimin e kërkesave të popullsisë shqiptare të cilën përfaqësojnë. Në rast të kundërt ata duhet të dalin me deklarata që kundërshtojnë bashkëpunimin e tyre me qeverinë dhe të sillen si një opozitë e vërtetë brenda parlamentit në mbrojtje të popullit që përfaqësojnë.

Shqetësimet të cilat preka më lart janë ndoshta vetëm një pjesë e problemeve brenda të cilave është zhytur Malësia sot. Zgjidhja e tyre është në dorën tonë. Le të mos tregohemi indiferentë apo moskokëçarës.
Për ta mbyllur po citoj Edward R. Morrow:
Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë ishte.”

Zef Ujkaj