FORCA: Kërkesa e Frontit Demokratik është qesharake dhe denigruese

forca-logoFORCA – Reagim ndaj kërkesës së opozitës malazeze për dënimin e tifozëve të kombëtares shqiptare në Ulqin, Plavë dhe Tuz

Si partia më e madhe shqiptare në Mal të Zi, shprehim indinjatë të thellë ndaj iniciativës së opozitës (Frontit Demokratik) me në krye Nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi Radulovic, për të dënuar tifozët e kombëtares shqiptare të cilët festuan të martën mbrëma në Ulqin, Plavë dhe Tuz.
Kjo iniciativë është jashtë mase diskriminuese dhe kërcënuese ndaj popullsisë autoktone shqiptare në Mal të Zi dhe fut atmosferë frike dhe josigurie, ironikisht një javë pas publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian, i cili thotë se Mali i Zi siguron respekt dhe mbrojtje të minoriteteve dhe të të drejtave kulturore. Kërcënimi nga këto lloj qëndrimesh bëhet akoma më serioz kur kemi parasysh faktin se Fronti Demokratik ka fituar 23.8% të votave në zgjedhjet parlamentare të 2012, ose një të katërtën e totalit të votave.

Tifozët të cilët festuan e kanë bërë këtë në mënyrë shumë të qytetëruar dhe spontane, duke përkrahur përfaqësuesen e kombit të cilit i përkasin dhe e cila u dhunua verbalisht dhe fizikisht nga ana e tifozerisë dhe policisë serbe në Beograd. Është e habitshme se si Demokratski Front nuk ka asgjë për të thënë lidhur me këtë, lidhur me fishkëllimat e tifozëve serbë gjatë kohës që po luhej himni kombëtar shqiptar, lidhur me brohoritjet “Vrit, ther, që shqiptari të mos ekzistojë” (Ubij, zakolji, da siptar ne postoji) të cilat zgjatën gjatë gjithë kohës që u luajt ndeshja! Duam të potëncojmë edhe një herë se tifozët shqiptarë në Mal të Zi kanë festuar mbrëmë ndaljen e terrorit të ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë dhe e kanë bërë këtë në mënyrë të dinjitetshme, duke përdorur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe në përputhje me Ligjin në fuqi për Përdorimin e Simboleve Nacionale në Mal të Zi, i cili nuk ndalon përdorimin e flamurit kombëtar në raste si ai i datës 14.10.2014. Përveç elementit të festës, mbledhjet e tifozëve kanë shprehur protestë ndaj mënyrës së trajtimit të lojtarëve shqiptarë në Beograd, e cila na ka fyer të gjithë ne njëkohësisht. A është i njoftuar z. Radulovic që skena të ngjashme të ofendimit të shqiptarëve ndodhin edhe në ndeshjet që zhvillohen në Mal të Zi kur luajnë ekipe nga Ulqini, Plava e Tuzi dhe çfarë masash ka ndërmarrë që nxitësit e urrejtjes ndaj shqiptarëve të japin përgjegjësi dhe të dënohen?

Kërkesa e Frontit Demokratik është në rastin më të mirë qesharake dhe në rastin më të keq fyese dhe denigruese. Mali i Zi është shtet demokratik i cili aspiron anëtarësi në BE dhe në NATO, e shqiptarët në Mal të Zi janë faktor kyç për realizimin e këtyre aspiratave, ashtu siç ishin edhe për pavarësimin e Malit të Zi.