Gjekë Pjetër Hiri Rudaj , bamirësi i madh i Ulqinit ( 1)

Gjeke-rudaj-bamires-i-ulqinitShkruan: Gjekë Gjonaj

Në fillimshekullin e kaluar  shumica e popullatës së  Komunës së Ulqinit,  dhe jo vetëm,  ka jetuar në   një varfëri  majft të theksuar ekonomike, për shkak  të rrethanave të njohura  të kohës. Njerëzit  e asaj kohe, për dallim nga sot  në kohën moderne, kur vlerat  janë në nivele të ulëta dhe të pamjaftueshme,  kanë qenë  më solidar, më fisnik, më bujar, më mirëbërës. Ata me veprime konkrete, të sinqerta, të prirur  nga  shpirtmirësia dhe shpirtmadhësia e  tyre dhe ndjenja e vlerave njerëzore   janë angazhuar që të zbusin  hallet dhe nevojat  materiale të njëri-tjetrit. I këtillë ka qenë edhe Gjekë Pjetër Hiri Rudaj.
Prejardhja e familjes
Ai lindi  në Shtoj të Ulqinit  në vitin  1894, në një familje  malësore, e njohur  sidomos  për fisnikëri, për mikpritje, për bamirësi,për shpirtmadhësi, për bujari dhe për atdhedashuri. Origjinën e kishte nga  fshati Selcë  në zemër të Kelmendit, prej nga të parët e fisit të tij  Ruda Pretashi dhe  Gilë Pretashi, para më se  300 vitesh zbritën në vërri , në Shtoj. U rrit  dhe u edukua në një familje patriarkale  aristokrate nga babai Pjetri dhe nëna Tringa ( bijë  e fisit Frangaj  nga Rapsha e Hotit të Malësisë së Madhe) me vlera dhe norma të rëndësishme të kulturës tradicionale të Malësisë,  me  dashuri, mirësjellje e rrespekt midis pjesëtarëve të familjes dhe me respektin ( nderimin)   ndaj  mysafirit dhe mikut të shtëpisë.
Sekreti i kësaj familje, sikur i të gjitha familjeve kelmendase,  përveç edukimit fetar ishte kodi moral i saj i pëcjellur ndër shekuj nga brezi në brez, e që janë: mikrptija, besa, ndera dhe burrëria. Këto virtyte shqiptare  për  familjen Rudaj ishin të shtrenjta dhe të shenjta.

Ekonomia shtëpiake

Familja Rudaj ishte e madhe. Numëronte  deri në 53 anëtarë. Konsideroheshin ndër familjet e pasura në komunën e Ulqinit.  Kishin pronë të madhe  në Shtoj, rreth 100 hektarë tokë bujqësore,  të cilën kjo familje e  kishte blerë nga disa familje ulqinake. Dëshmi për këtë  është   një  kopje e  kontratë blerjejes në gjuhën turke, që daton nga viti 1857, në të cilën thuhet se “ Gjelo  Rudi dhe Mark Gila atë vit  kanë blerë  për 550o grosh, nga Hysein dhe Beqiri, djemtë e Tul Beqirit, dhe vajza e tij Emina   me njohuri të  administratës së Sheriatit, në prani  të vëllait të Eminës,   tokë në fshatin Shtoj, kufi me Avdullah Katanën deri te kneta dhe me rrugë të madhe …  dhe bëhen blerës  dhe pronarë të ligjshëm. Këtë kontratë blerjeje e ka nënshkruar dhe vulosur  në prani të dëshmitarëve Hys Nuraja, Brahim Ali Dabi, Halil Bali, Nel Haxhi Gjeka, kadia i atëhershëm Shaqir Isufi, me 1857.
Rudajt tokën bujqësore e punonin me  pesë çifçi ulqinakë: Beciq, Kaleziq, Durak dhe dy  të tjerë. Secili prej tyre, përveç ushqimit dhe fjetjes falas  kishin  edhe  nga një pendë  qe, me të cilët  punuar tokën, ndërsa  produktet bujqësore i ndanin për gjysmë.

Pjesë e ekonominë shtëpiake të kësaj familje,përveç bujqësisë ishte edhe  blegtoria. Kishin  shumë bagëti të imta dhe të trasha. Tufa të mëdha delesh, qengjash, lopësh, viçash, qeshë,  dhishë e kuajsh.  Zhvillimi i blegtorisë mbështetej në shtegtimet blegtorale, dimrit në fushat e Shtojit dhe verës në  kullotat e bjeshkëve të Kelmendit. Këtë përvojë e kanë përdorur deri vonë, kur  definitivisht është mbyllur  rruga e karvaneve siç është quajtur atëherë, respektivisht   kalimi i kufirit me Shqipërinë. Prodhimet blegtorale  të  Kelmendit,si: djathi, gjiza, gjalpi e tjerë ishin të përmendura  dhe nga ato familja siguronte   mjaft të ardhura.
Humanist i pashoq
I lidnur dhe i rritur në gjirin e një familjeje të  njohur për të gjitha ato veti të përmendura  Gjeka si i ri trashëgoi shumëçka. Kur dëgjojmë emrin e tij  s’mendojmë gjë tjetër, veçse për  një humanist  të pashoq,për një bamirës të veçantë, dora e të cilit ka qenë e shtrirë në shumë drejtime dhe në të gjitha kahjet, për të qenë afër atyre që vërtet kanë nevojë. Nga cilësitë më të rëndësishme të këtij malësori ka qenë që t’u bëjë njerëzve sa më shumë mirë që mundet, qoftë kjo mirësi monetare, si ushqimi, shlyerja e borxheve , etj., ose mirësi morale, sikurse pajtimi midis dy të ngrindurve, ndërmjetësimi, ndërhyrja në dobi të  njerëzve, etj. Moto e tij ishte të jesh human, të mbash qëndrim njerëzor e fisnik dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve.

 Shpirti i fukarasë

Të gjithë ata që e kanë njohur Gjekë Pjetër Hirin kanë një vlerësim unik dhe të vetëm se ai  ka qenë dhe mbeti   njeri human, shembull  model i bamirësisë. Shumë qytetarë të  moshuar  të  Komunës së Ulqinit me të cilët biseduam  më treguan disa  episode  bamirësie të këtij  njeriu të vogël me trup, por me shpirt të madh, e zemër të hapur. Zemra e e këtij kalorësi të humanizmit  ishte e madhe, në të cilën  kishin vend të gjithë njerëzit pa dallim kombi, race e besimi.
Rrok Hoti, 82 vjeç,nga Shtoji  kur e pyeta  se kush ka qenë  Gjekë Pjetër Hiri  dhe si e ka njohur ai atë,  m’u përgjigj:
“ Burrë i nershëm, prej nji familje bujare.  I ka nimua gjithkuj ç’i ka pas nevojë. Shqiptarve, shkijeve, katolikve, muslimanve,ortodoksve, pleqve e  t’rive, grave e fmive, pa dallim. E ka nie vetin keq, kur s’ka  perri  m’u nimua të tjerëve. Por ka kënë  i lumtun e  shumë i gëzuem kur e ka  kënaq  tjetrin kjoftë edhe me gjanë ma të vogël. Ma shpirt mirë e ma dorëdhanë  vshtirë s’e ka le ndonji tjetër nanë. Ka kënë shpirti i fukarasë,  e nera e mahallsë. Shtylla e konakut  dhe   faqja e bardhë e bajrakut.   I dashtun me gjithkan. Gojamël. Fjalëpak, e punëmath. Njeri me autoritet. Kudo ka shkua mas ti kanë vrapua. Si në katun ashtu edhe ën  shehër, e  ën pazar, qytetar e katunar . E kanë prit e përcjellë me  dashni si ma të mirin e kohës.  Kur ai  ka dalë në Ulqin në kalin e tij të shalës ulqinakët e kanë prit tue rrah shplakë për shplakë, në shëjë rrespekti që kanë pas për ta. Kur asht ulë Gjeka ën mejhanë atë ditë s’ka lëjua njeri   me e shti  dorën ën xhep.U ka pagua te tanve ç’i kanë kënë aty. Kavaler si Gjekë Hiri! S’ka muj me ia kalua kush. Shpia e tij  ka kënë e hapun 24 sahat për çdo njeri në nevojë. Për të   njoftun e të panjoftun.  Çdo ditë në shpinë e tij asht shtrua sofra 2-5 herë në ditë vetëm për miq e dashamirë. Sa buka asht hagër në shpinë e tij ?  Vetëm i Madhi Zot  ën qiell e di!  Thuhet se ai u ka falë ulqinakëve në nevojë për festën e Kurban   Bajramit  17 deri në 30 deshë në vjet. Nuk  kam nije se ka kthye njeri në nevojë duerthatë. Secilit ia ka njomë dorën. Ia ka kënaq shpirtin.  Vaso Jançiqit në Ulqin i ka falë nji kal drith, nji qerre dru dhe lopën me viç. Me nji fjalë ai u ka dhanë shpresë njerzve me jetua ma mirë. Të rrallë kanë kënë burrat  si  ai  në këto vëset tona. Në tri fe, siç thomi ne,  s’ka mujt me kënë ma humanist se Gjekë Hiri.”
Edhe Lekë Kola Lugjuraj , tashmë i ndjerë  vite më parë më ka treguar një episod nga  veprimtaria humanitare  e Gjekë Pjetër Hirit.
“ Në kohën kur merresha me tregti kisha  ble   derra në Sërbi , të cilët   i çova  me i   shit në Hercegovinë. Atje më zuni nata , pa i shitë tetanë derrat. M’u deshti me fjet atje. Trokata në disa dyer,por të zotët e shpisë  kur u thoja se  me veti kam  derra nuk më pranuan. Njani prej tyne më dveti :
–    Si e ke  ëmnin?
–    “ Lekë, i thaç.
–    Prej nga je? – më tha.
–    Prej rrethit të Ulqinit -Shtojit,  ia ktheva.
–    A e njeh Gjekë Pjetër  Hirin ?
–    Po si jo. Atë e kam  kojshi të parë – iu përgjegja.
–    Atëherë, pra , ti sonte do të flësh këtu, më tha gëzueshëm.
Edhe vetë u gëzova. Falë  bujarisë së Gjekë Hirit më  mori për krahit  dhe më shtini mrënë. Biseduem gjatë si të ishim miq të kahershëm.  Kur shtroi darkën m’u drejtua me këto fjalë:
“ Ha biri im e mos u tyrpno! Ti këtu sonte e han bukën tande. Eeee, si më ka prit e përcijellë mua Gjekë Hiri në shpinë e tij në Shtoj!?  Si askush tjetër në këto vjetët e mia.   Mikpritjen dhe buajrinë e tij  nuk do ta harroj sa të kam ymër me jetua. “
(Vijon)

Gjeke-rudaj