Hashim Thaçi: “ERDHI DHE IKU”

Anton-LulgjurajMë datën 15 janar, zv / Kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme të Kosovës z. Hashim Thaçi zhvilloi vizitë zyrtare dy ditore në Mal të Zi. Kjo është vizita e Tij e parë protokollare e cila u organizua nën sigurinë absolute të forcave policore të Malit të Zi, të cilat arrinin në 1200 policë. Agjenda e z. Thaçi ishte e ngjeshur, por me shumë të meta. Aq shumë ishin të meta saqë vizita e Tij në Mal të Zi krijoi një show mediatik, se si përcillej nga forcat e sigurisë dhe se si udhëton me helikopter nga Podgorica në Ulqin, se sa gjithë zhvillimin e biseda me krerët më të lartë të Shtetit malazez.

E kam thënë edhe më përpara që vizita e Tij nuk sjell asnjë ndryshim në situatën politike të shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe më tepër konfuzion, rrjedhimisht e konsideroj vizitë pa vlerë për shqiptarët dhe me shumë vlerë për Kryeministrin Gjukanoviq. Gjykoj në këtë mënyrë duke u bazuar në agjendën dhe bisedat që zhvilloi për dy ditë.

Së pari, Ai kaloi nëpër territorin e Malësisë duke mos i takuar shqiptarët. Me këtë rast, Ai gjeti kohën që “të na përshëndes nga facebook”. Por, a mjaftonte kjo për vizitën e Tij të parë. A e din z. Thaçi se Malësia në kohën e gjenocidit serb në Kosovë, priti me dhjetëra mijëra vëllezër shqiptar (refugjatë) të cilët ishin larguar nga trevat e tyre. Malësorët luftuan në Kosovë dhe mblodhën me miliona dollar për të kontribuar në çlirimin e Kosovës.

Së dyti, z. Thaçi më datën 16 janar, zhvilloi bisedën e parë me homologun e tij malazez Igor Llukshiq. Gjatë intervistave përkatëse të të dy diplomatëve për media, z. Thaçi nuk e përmend asnjë fjalë për shqiptarët në Mal të Zi. E kundërta ndodh me Ministrin e punëve të jashtme të Malit të Zi, i cili i kërkoi z. Thaçi: të njihte pakicën malazeze në Kosovë në Kushtetutë, të krijonte mundësinë e kthimit të malazezëve të ikur gjatë luftës në Kosovë etj. Pra, vetëqeverisja lokale për Malësinë, të mirat detare për Ulqinin, papunësia në proporcion me përqindjen në nivel shtetëror të shqiptarëve, mungesa e mandateve të garantuara në Parlamentin e Malit të Zi për popullin autokton shqiptar, mungesa e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, uzurpimi i pronave të shqiptarëve etj, duket se nuk e shqetësojnë fare z. Thaçi.

Së treti, gjatë kohës që po zhvillonte bisedimet me zyrtarët më të lartë të shtetit, jashta godinës së Qeverisë, disa qindra qytetar të Malit të Zi zhvilluan protestë kundër vizitës së Tij në Mal të Zi. E kuptoj që kjo opozitë ka probleme konceptesh dhe ende luan në ndjenja emocioni dhe nacionalizmi folkorik të shekullit të kaluar. Kjo është fundërrina e pozitës së dikurshme të Gjukanoviqit që sot përbën një pjesë të vogël të opozitës së sotme të Malit të Zi dhe nuk përbën asnjë faktor të mundshëm destabilizimi, por me ardhjen e z. Thaçi dhe protestën që iu zhvillua, Kryeministri Gjukanoviq siguron edhe mandatin e ardhshëm në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen këtë vit. Me qenë se nuk firmosët asnjë marrëveshje dhe nuk folët asgjë për shqiptarët në Mal të Zi, atëherë përse erdhe?

Së katërti, siguria e z. Thaçi ishte në nivelin më të lartë të mundshëm, duke e krahasuar me sigurinë e ish Presidentit amerikan Bill Klinton. Gjoja se z. Thaçi mund të ishte prehë e një atentati. Sigurisht që kjo situatë e neutralizon këtë fundërrinë të opozitës, por në të njëjtën kohë bëri festën e partisë në pushtet të z. Gjukanoviq, që edhe për mandatin e ardhshëm mund të flejë i qetë. Mendoj se më shumë problem duhet të ndjesh nga kryeministri aktual i Malit të Zi z. Millo Gjukanoviq sesa nga ajo pjesë e opozitës që të protestonte. Duke ditur që z. Gjukanoviq e akuzojnë për vepra penale të ndryshme në arenën ndërkombëtare.

Së pesti, z. Thaçi vizitoi Ulqinin. U takua me krerët e Komunës së Ulqinit. Për çfarë? Për t’i përshëndetur? Vetëm aq? A nuk meriton Ulqini më tepër? Pse nuk i shtroi në bisedat me zyrtarët e shtetit problemet e Ulqinit? Uqlinit i janë marrë të mirat detare, Valdanosi që është toka më e madhe e mbjellur me ullinj në gjithë Malin e Zi, janë reduktuar kompetencat e Komunës, nuk investohet asnjë qendarkë nga ana e pushtetit shtetëror etj. Kjo është vetëm “fashion” dhe asgjë më tepër nga ana Juaj.

Së fundi, nëse vizita Juaj z. Thaçi ishte për të mundësuar Gjukanoviqin të mbante pushtetin edhe për mandatin e ardhshëm, edhe nëse e keni si kërkesë nga Ai, atëherë më mirë mos të kishit ardhur. Sepse vazhdojmë të jemi i vetmi shtet në Evropë që për 25 vite nuk e ka ndryshuar pushtetin. Kryeministri aktual i Malit të Zi është kryeministri i 18 më i pasur i botës dhe ju vini e bisedoni me të, ndërkohë që për shqiptarët nuk flisni fare. Nëse ju argumentoni që: po çfarë, a duhet të mbështesim këtë lloj opozite që është kundër Pavarësisë së Kosovës? Përgjigja është kjo: njohja e Pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit të Malit të Zi është çështje e mbyllur dhe ajo nuk hapet nga askush që do vijë në pushtet. Kjo pjesë e opozitës që proteston nuk përbën më shumë se 15% të të gjithë parlamentit të Malit të Zi dhe ju nuk duhet të shqetësoheni për këtë. Për më tepër, ju keni në koalicionin Tuaj qeverisës, ministra që përditë propagandojnë kundër Pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Në këtë mënyrë ke lënë vetëm zhgënjim tek populli shqiptar në Mal të Zi. Erdhe dhe nuk the asgjë për shqiptarët në Mal të Zi, sikurse u largove pa thënë asgjë, ku çdo ditë dhe në çdo moment të drejtat e shqiptarëve nëpërkëmbën nga pushteti dhe nga ata me të cilët Ju dialoguat.

Mr. Sc. Iur. Anton Lulgjuraj