Histori: Çfarë ka ndodhur më 28 nëntor?

krujeMë 28 nëntor 1443 i madhi Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. 

Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë  flamurin kuq e zi. Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit (3 nëntor), Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. Shembulli I tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës.

Ndërkaq 469 vjet më vonë, më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë tonë kombëtare.

Më 28 nëntor 1912 në orën 14:00 u hap Kuvendi i Vlorës me 37 delegatë nga e gjithë Shqipëria. Kryetari i tij u zgjodh Ismail Qemali, i cili deklaroi se shpëtimi i vetëm i Shqipërisë është shpallja e pavarësisë, krijimi i qeverisë, zgjedhja e pleqësisë që do ta kontrollonte atë dhe dërgimi i një komisioni për të mbrojtur çështjen shqiptare para Fuqive të Mëdha të cilat në Konferencën e Londrës të 1913 copëtuan tokat shqiptare.