Husein Bato Dukaj – Një jetë dhuruar ekranit

husein_dukajShkruan: Gjokë DUKAJ

Të shkruash për njerëz dhe veprimtarinë e tyre krijuese është e vështirë por, njëkohësisht edhe sfiduese. Aq më parë kur me individ të tillë të lidhin çaste të shumta të përbashkëta, qoftë për nga natyra e profesionit, raportet e ndërsjella, njerëzore po të fisit. Por, diçka e brendshme të kujton në obligimin njerëzor ndaj njerëzve të cilët me punën e vet, me talentin dhe përkushtimin profesional, kanë lënë gjurmë të pashlyer në jetën publike, kulturore dhe shpirtërore për një periudhë tridhjetëvjeçare. E fillova këtë shkrim në përkujtim të, tashmë të ndjerit, Husein Bato Dukaj, regjisor i njohur në televizionin e Malit të Zi, i cili ndërroi jetë ditën më 18 prill, në moshën 56 vjeçare. Biografia e tij është thënë përmes punës tridhjetë vjeçare të cilës nuk iu largua as edhe një çast deri në momentet e fundit të jetës, por në raste të këtilla, kur vdekja e parakohshme e njeriut pikëllon jo vetëm më të afërmit, më të dashurit, miq e kolegë, por edhe të gjithë ata që qoftë edhe ndonjë rast kanë përjetuar afërsinë, burrërinë dhe zemërgjerësinë e njeriut të lindur dhe të rritur në familjen e traditës dhe virtyteve më të larta njerëzore në këto hapësira. Realizimi i emisioneve të shumta televizive, seriale, filma dokumentarë, emisione për fëmijë, emisione muzikore, projekte filmike, festivale e kështu me radhë, e dëshmojnë më së miri një karrierë të frytshme me gjurmë që nuk i shlyen koha. Si njeri i televizionit, ai ishte i vetëdijshëm për ndikimin e tij si medium në të përditshmen e njerëzimit, andaj me syrin e një profesionisti të spikatur siç ishte Husein Bato Dukaj, në vitin 2011, botoi librin “Të jetosh me dhunën”, ku përmes vëzhgimit të përpiktë tenton të tërheq vërejtjen në dhunën nga mediat vizuele e cila, sipas tij, më së shpeshti është shkaktar i dukurive dhe fenomeneve të shumta në shoqëri. Isha ndër të parët që ma dhuroi këtë libër, me një përkushtim dhe dashamirësi vëllazërore, ashtu siç dinte ai të tregoj zemërgjerësinë e vet, sidomos ndaj atyre që i respektonte dhe i donte. Prandaj, derisa e shfletoj edhe në këto momente, ai më përkujton shumë çaste tjera të cilat i përjetuam bashkërisht. Ishte ndër të parët që përgëzonte kolegët e vet për ndonjë sukses në punë, në krijimtari apo ndonjë veprimtari tjetër dhe njëkohësisht tentonte që individëve të tillë tu jepet hapësirë e mjaftueshme në Televizionin e Malit të Zi. Sidomos, në programin e pakicave, ku ishte i angazhuar viteve të fundit dhe në të cilin ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm përmes realizimit të përmbajtjeve të ndryshme në emisione të shumta në kuadër të këtij programi. Respektin ndaj jetës dhe veprës së Husein Bato Dukaj, e dëshmuan njerëz të shumtë; miq, kolegë e të njohur, në orën përkujtimore të mbajtur në QKI “Budo Tomoviq”, në Podgoricë, dhe në ditën e varrimit në fshatin e tij të lindjes në Tojeq të Dinoshës. Andaj, le të jenë edhe këta pak rreshta në shenjë respekti dhe në përkujtim ndaj njeriut i cili jetën e vet ia dhuroi ekranit. Materiale të shumta, të filmuara në vende dhe raste të ndryshme në trevat tona, janë dëshmi e kohës të cilave ai u dha përjetësinë.

Gjokë DUKAJ