I PËRJESTHËM QOFTË KUJTIMI NË VEPRËN NJERËZORE TË DR.LUKË GJOKAJ

dr-Luke-Gjokaj-580x386Njeriu në veprimtarinë e vet gazetareske , shpeshherë është në situatë të shkruaj edhe për ngjarje të padëshiruara por gjithsesi meritojnë dhe duhet shënuar në kronikat gazetareske. Ngjashëm është edhe shkrimi i radhës të cilin po e shkruaj në përkujtim të një dashamiri të madh, një mikut dhe një veprimtarit të dalluar në këto treva, një humanistit dhe njeriut të mirë, siç e njihnin dhe e donin të gjithë, Dr.Lukë Gjokaj, të cilit këtyre ditëve i dhamë lamtumirën e fundit. Shpeshherë, fjalët nuk mjaftojnë të përshkruhet një personalitet dhe veprat e tija njerëzore, siç ishte dr. Luka, birë i kësaj Malësie që ai e deshti aq shumë, ku punoi, veproi dhe kontribuoi me gjithë fuqinë e shpirtit, profesionit dhe mendjes që pati dhe që, ska dyshim, do të vazhdoj të jetoj deri në përjetësi. Ishte kënaqësi dhe privilegj të jesh bashkëkohës i këtij njeriu të madh, të ndash ndonjë grimcë kohe nga e përditshmja dhe atë ta kalosh në shoqërinë e dr.Lukës; me fjalët, këshillat, porositë dhe dashamirësinë e këtij njeriu me kulturë të gjerë, jo vetëm nga lëmi i profesionit human që e ushtronte. I thjesht dhe i afërt me çdo kënd, i matur dhe dashamirës në çdo moment, me fjalët ilaç dhe vepra të sakta në çdo situatë dhe, mbi të gjitha, dashamirës i të mirës për secilin njeri kudo që punoi dhe veproi, nga Klina e Kosovës e deri në Malësi. E njohën atë të vegjël, të rritur e të moshuar; në gëzime e hidhërime, në njerëzi e pajtime, në konferenca e përurime. Sidomos, e njohën dhe e deshtën të sëmurë dhe njerëz në nevojë, për të cilët, dr.Luka, ishte i gatshëm në çdo kohë dhe në çdo vend, të shpëtoj dhe të ndihmoj ata që ishin të rrezikuar, për të cilët ishte shpresa, forca dhe besimi më i madh. Dhe, kështu 40 vite të plota në shërbim të shëndetit, nevojës dhe shpresës për të tjerët, kudo që punoi dhe u gjend me virtytet e tija më të larta njerëzore, deri ditën e diele, më 17.gusht, kur pushoi së rrahuri zemra e këtij njeriu, sa të madh aq të dashur dhe sa të nevojshëm në këto hapësira, aq të paharruar nga brezi i tashëm. Bashkëvendësit e tij nga të gjitha trevat e Malësisë, miq dhe të njohur, kolegë, bashkëpunëtor dhe bashkëveprimtar nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi dhe më gjerë, u përkulën para arkivolit me kufomën e tij, para altarit në shenjtoren e Sh’na Ndout në Tuz, ku ishte vendosur, duke i dhënë kështu nderimin e fundit këtij njeriu të madh, këtij humanisti dhe veprimtari të paharruar të kohës sonë. Edhe çastet e fundit të jetës së vet i kaloi duke ndarë gëzimin familjar me të tjerët sepse, ai, donte gjithherë të jetë aty ku kishte gëzim, të përgëzonte dhe të uronte me gjithë shpirt. Për këtë arsye, dr.Luka, ishte i mirëpritur dhe i mirëseardhur kudo ; të përgëzoj dhe të uroj ku ishte rasti; të shëroj dhe të ngushëlloj ku ishte nevoja, ashtu siç dinte vetëm ai. Andaj, gjurmët që ka lënë pas do të jenë të pashlyera për jetë, ngjashëm sikur kujtimi i miqve të tij do të jetë i paharruar. I përjetshëm qoftë kujtimi në veprat dhe punën tënde të shenjtë, dr.Lukë Gjokaj.

Gjokë Dukaj