Komisioni per Arsim i KKSH-së do të inicojë ndryshimin e planprogrameve mësimore, për lëndët e identitetit kombëtar

11070088_853935957994132_1954784388615801535_nU mbajt mbledhja e Komisionit për arsim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe i Këshillit Kombëtar

Komisioni për arsim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi ka mbajtur të premten, më 24 prill 2015, mbledhjen e tij të parë në përbërjen e re.

Komisioni ka miratuar Programin e punës, me të cilin parashikohet ndërmarrja e masave konkrete për realizimin e përfundimeve të seminarit me temë “Pozita dhe nevojat e arsimit shqip në Malin e Zi”, nisja e iniciativave për ndryshimin e planprogrameve mësimore, sidomos të atyre të lëndëve të identitetit kombëtar, analiza e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, me qëllim të korrigjimit dhe përmirësimit të mangësive ekzistuese, hartimi i strategjisë për zhvillimin e arsimit shqip në Mal të Zi, shënimi i datave me rëndësi për arsimin shqip etj. Ndërkaq, në pjesën që ka të bëjë me gjuhën shqipe, programi i punës parashikon monitorimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe komunale, ndërmarrja e iniciativave drejtuar institucioneve shtetërore dhe komunale për zbatimin e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar, zhvillimin e aksioneve me qëllim vetëdijësimi të përdorimit të gjuhës shqipe, hartimin e Raportit mbi përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike në Mal të Zi etj.

Komisioni ka vlerësuar se duhet të ndërmerren nisma për rritjen e kompetencave të KKSH-së në fushën e arsimit në gjuhën shqipe, përmes ndryshimit të ligjeve ekzistuese.

Anëtarët e Komisionit janë njoftuar edhe mbi takimet e përfaqësuesve të KKSH-së me Ministrinë e Arsimit për zgjidhjen e problemeve të arsimit shqip në Mal të Zi, si dhe mbi realizimin e projektit të KKSH-së për analizën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Në këtë mbledhje është zgjedhur edhe nënkryetari i këtij Komisioni, z. Albert Camaj.

Shërbimi për informim