Komuna e Malësisë, tjetër eksperiment

Tregu i zi - TuzSipas planit të kryetarit të Komunës së Podgoricës Miomir Mugosa, me ndryshimin e ligjit për Kryeqytetin, Komuna urbane e Tuzit do të fitojnë statusin e Komunës, por përsëri në kuadrin e Podgoricës. Sipas këtij projekt-ligji, versioni i ri i vetëqeverisjes lokale do të ketë në kompetenca përcaktimin e buxhetit dhe mbledhjen e taksave e tatimeve në territorin e Malësisë, shkruan gazeta Vijesti e cila thirret në burime nga një dokument i këtij projekt-ligj.

Sipas këtij projekt-ligji, për të cilin do të bisedohet në mes të DPS-së dhe përfaqësuesve shqiptarë, ai parashikon që Tuzi/Malësia të kenë të gjitha të drejtat që Ligji për Vetëqeverisje Lokale siguron të gjitha komunave tjera në Mal të Zi.
Megjithatë, në dokumentin të cilin e citon gazeta Vijesti, parashikohet që rregulloret e brendshme të Tuzit/Malësisë të harmonizohen me Statutin e Kryeqytetit, ku udhëheqësia e Podgoricës do të ketë fjalën e fundit në rast se organet komunale nuk do të funksiononin për më shumë se tre muaj.

miomir-mugosaSipas projekt-ligjit në fjalë, organet komunale të komunës së ardhshme janë të detyruara të paraqesin raportin e punës udhëheqësisë në Podgoricë, e cila në rast të pakënaqësisë me punën e tyre njofton Kuvendin e Tuzit/Malësisë. Në rast se Podgorica nuk është e kënaqur me punën e parlamentit lokal, Kryebashkiaku i Podgoricës ka të drejtë të kërkojnë nga Qeveria shpërbërjen e parlamentit lokal.

Në mungesë të zhvillimit të seancës nga Kuvendi komunal për më shumë se tre muaj, mos-ekzekutimi i vendimeve të gjykatës kompetente ose mos plotësimi i punëve tjera të parashikuara me ligj, statut dhe akte të tjera të Kryeqytetit, kryebashkiaku i Podgoricës njofton Qeverinë dhe propozon marrjen e masave të domosdoshme me ç’rast Qeveria paralajmëron parlamentin lokal të cilit i jepet kohë e caktuar për të plotësuar kërkesat. Në të kundërtën, Qeveria shpërbën Kuvendin Komunal dhe formon bord drejtues i cili udhëheq me komunën deri në zgjedhjet e parakohshme.

Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, në rast të mosfunksionimit të parlamentit lokal, kompetencat për fuqizimin e vendimeve i shkojnë Kryetarit të Komunës, megjithatë në këtë rast, sipas projekt-ligjit në fjalë, këto kompetenca nuk do ti kishte kryetari i Komunës së Tuzit/Malësisë por ato do ti shkojnë kryebashkiakut të Podgoricës.

Kështu statusi i Komunës së Malësisë po hynë edhe në një fazë tjetër eksperimentuese dhe të veçantë.
Po shqyrtohet e ardhmja e Malësisë, propozimet e aprovimet, kurse qytetarët e Malësisë vazhdojnë të përjashtuar nga pjesëmarrja në vendimet për të ardhmen e tyre. Kjo në parim është në kundërshtim me termin “Vetëqeverisje Lokale”. /MALESIA.ORG/