|
Promovohet
oferta e verës turistike të Ulqinit
postuar:
10.05.2008
Mos
jep besë Hajdinaga !
“Ne jemi këtu më tepër që ti falënderojmë
kosovarëve për ata që kanë bërë për Ulqinin sepse me ardhjen e
tyre ka ndikuar shumë të shqiptarët në Ulqin në ruajtjen edhe
të identitetit shqiptar atje”, ka thënë në takimin promovues
i pari i Ulqinit Gëzim Hajdinaga
Ka ardhur të premten në Pejë bashkë me
ekspertë të turizmit dhe udhëheqës komunal, kryetari i komunës
së Ulqinit Gëzim Hajdinaga për të promovuar ofertën turistike
për vitin 2008. “Këtë vit kosovarët duhet të vijnë edhe
më tepër në Ulqin. Në Mal të Zi ka një përqindje të vogël të
njerëzve që dëshiron që kosovarët të mos vinë më në Ulqin dhe
nëse doni që ti plotësoni dëshirat e asaj
pakice, atëherë mos ejani”, është shprehur në paraqitjen e tij
promovuese Hajdinanga. Ai në këtë takim
është përballur edhe me pyetjet e shpeshta të mediave se pse
po heziton Mali i Zi për ta njohur shtetin e Kosovës dhe se sa
kanë bërë liderët e caktuar shqiptarë, pra mes tyre edhe z.
Hajdinaga për të lobuar atje që shteti
malazez ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
“Nëse nuk ndodh njohja më herët atëherë ardhja juaj është edhe
një arsye më shumë për t’i treguar
qeverisë së Malit të Zi se në një formë Ulqini është i tyre”,
është përgjigjur Hajdinagaj për të vazhduar se “Sa
i takon mosnjohjes momentale të pavarësisë së Kosovës nga
zyrtarët malazez , mendoj që kjo nuk duhet të ndikojë në
ardhjen apo mos ardhjen e turistëve kosovar. Me gjithë atë nuk
ma merr mendja që mosnjohja momentale edhe deri në sezonin
turistik e shtetit të Kosovës mund të ndikojë në mosardhjen e
kosovarëve në Ulqin. Me ardhjen tuaj në numër sa më të madh
për të veruar në Ulqin, sikur keni bërë edhe viteve tjera, po
ndikoni në ruajtjen e identitetit shqiptar
të ulqinakëve. Nëse shqiptarët e Kosovës nuk shkojnë këtë vit
për të pushuar në detin e Ulqinit, atëherë
kështu do t’u plotësohen apetitet e atyre
që nuk e duan prezencën e Kosovës në Malin e Zi”, është
përgjegjur kreu i Ulqinit.
Hajdinaga u ka premtuar pejanëve dhe
qytetarëve të Kosovës në përgjithësi se çmimet në këtë sezon
veror nuk do të jenë më të larta nga ato të vitit të kaluar. I
pari i Ulqinit ka premtuar edhe se për shqiptarët e Kosovës që
vendosin për të veruar në Ulqin nuk do të ketë probleme sa i
takon sigurisë gjatë gjithë udhëtimit të tyre nëpër Mal të Zi.
“Nuk do të ketë probleme të sigurisë për ta, aq më shumë pasi
tani Mali i Zi është i pavarur”, ka premtuar Hajdinaga.
Mos jep besë
Hajdinaga !
Hajdinaga dhe ndonjë lider tjetër në Mal të Zi nuk duhet shumë
të japin besë për sigurinë e shqiptarëve të Kosovës gjatë
rrugëtimit të tyre nëpër Malin e Zi, që është bërë i pavarur
edhe falë votës së vëllezërve tanë atje në Malësi, e që si
shpërblim për këtë policia malazeze maltretoi, ofendoi rëndë e
në baza nacionale shumë malësorë e familje të tyre. Po ashtu
Hajdinaga duhet të mos harrojë se gjatë vitit të kaluar
pikërisht nëpër rrugët e Malit të Zi e nga policia e saj janë
ndaluar 10 të rinj shqiptarë të Kosovës, që po ktheheshin nga
kurbeti dhe janë dërguar ngutshëm në gojën e ujkut, pra në
burgjet serbe. Këta të rinj i kanë besuar demokracisë së Malit
të Zi, demokraci e urtësi, të cilën ky shtet e reklamoi gjatë
katrahura e zhvendosjes së popullit të Kosovës nga dhuna e
policisë e ushtrisë vrastare serbe. Këta të rinj besuan në
këtë demokraci, por, ata përfunduan nën pranga dhe hoqën të
zitë e ullirit nëpër burgjet serbe.
Mirë është që një pjesë e shqiptarëve të Kosovës të shkojë
verës në Ulqin për hir të shqiptarëve atje në mënyrë që të
ndihmohet ekonomia familjare e tyre. Por, te e fundit,
vizitorët le të vendosin vetë se a do të
marrin rrugë drejt Ulqinit apo Durrësit. Ajo që është keq
e duhet thënë troç është se disa liderë shqiptarë në
Malin e Zi po i besojnë shumë pushtetit atje dhe liderëve
malazez e serbë. Thanë se Mali i Zi do ta pranojë në maj
shtetin e Kosovës, por Miodrag Zhivkoviq i liberalëve e veçmas
funksionari i listës serbe Jovan Vuçoviq është edhe më ekstrem
dhe deklaron se një njohje e tillë nuk do të bëhet tani së
shpejti e madje as që përmendet ndonjë datë e afërt se kur
mund të ngjajë kjo njohje.
Disa liderë shqiptar në Mal të Zi duhet të deklarojnë vetëm aq
sa kanë kaçik dhe aq sa i pyet puna atje. Le të mos hidhërohen
ulqinakët, por unë si shqiptarë i Kosovës bashkë me familjen
time dhe me shumë farefis nuk do të shkojmë rrugëve të Malit
të Zi e as drejt detit të Ulqinit derisa nuk vihet drejtësia
në vend, pra derisa nuk lirohen nga burgu
malësorët, që pa asnjë faj po mbahen në burgun famëkeq të
Shpuzit dhe derisa Mali i Zi nuk e njeh Kosovën si shtet të
pavarur. Nuk ke pse shkon nëpër shtetin e atij që nuk të njeh
TY.
Rrahman Jasharaj |