Nikollë Camaj: Pershtypjet e vitit 2014

nikolle camajDekleratë dhënë mediave malazeze

I prirë nga një mendim bashkëkohor “mendo globalisht, por vepro lokalisht”, dhe për t’ju përgjegjur pyetjes se për çka do ta mbaj mend vitin 2014, do të flas vetëm për mbresat e karakterit lokal. Në lidhje me këtë, edhe vitin që posa e përcuellëm, lirisht mund ta radhisim në mesin e shumë viteve të tjera të çuara dëm. Edhe ky vit, si edhe shumë të tjerë, do të mbahet mend për plotësimin e asaj që ne kemi parashikuar, se kjo strukrturë politike nuk do të bëjnë asgjë nga ato që i ka premtuar. Por megjithatë, në këtë mjedis, me dekada të lënë pas dore, por çdoher disesi interesant, ndonjë gjë edhe ka ndodhur.
Nga “të ndodhurat” e vitit 2014 do të veçoja zgjedhjet lokale, të cilat përpos në Podgoricë dhe në disa komuna të tjera, ndodhën edhe në Tuz, por përsa i përket qeverisjes asgjë me rëndësi nuk ka ndodhur. Thënia sllave “nga kali zbriti Murti e hypi Kurti”, e parafrazon më së miri situatën. Në Tuz vetëm se është përforcuar “koalicioni i gjelbër”, i cili kohëve të fundit as nuk e fsheh se është i njëanshëm, qoftë në punësime, apo edhe në investime. Mjafton të shikojmë strukturën e të punësuarve në KU, apo hartën e investimeve të parapara për vitin 2015 dhe ta kemi të qartë njëanshmërinë e tyre. Ky është pra ai koalicioni i famshëm “Për Tuzin Evropian”, ndërkohë që Tuzi në këto ditë feste europiane, më së paku i përngjet ndonjë gjëje evropiane.
Viti 2014 do të mbahet mend edhe për “lojën” e quajtur “komuna e kryeqytetit” e cila arriti të ngatërrojë edhe “koalicioni kuq e zi”, nëse flasim me fjalorin nga paragrafi paraprak, respektivisht, bllokun i cili angazhohej për komunën e plotë. Por siç duket, tashmë sheshazi, dikush preferon një zog në grusht, gjegjësisht në xhep, më parë sesa pëllumbin që pret në kafaz. Qoftë këtu fjala për ata që e kanë nënshkruar apo për ata që e kanë filluar dhe ishin promoter të kësaj loje. “Larja e duarëve” nuk e ka arsytuar as Ponc Pilatin. Prandaj jemi këtu ku jemi. Tuzi dhe Malësia edhe tutje mbeten territor (k)urban i Podgoricës, dhe kjo nuk është mirë. Kur veç është fjala për zgjedhjet, edhe këtu vlen të përmendet rezultati i mirë zgjedhor i listës e cila ishte kundër eksperimentit të ri me Malësinë, kundër lojës së quajtur komunë e kryeqytetit.
2014-shin e ka shënuar edhe “dronizimi” gjithpërfshirës i opinionit publik të Malit të Zi, përmes çkahit dikush ka dëshiruar të na disiplonojë, të na ngarkojë ndjenjën e fajësisë dhe, me dozimetër të na përcaktojë nivelin e kënaqësisë sonë dhe nivelin e të drejtave tona, çka ne natyrisht se nuk e pranojmë. Për këtë arsye edhe shkarravinat nëpër disa gazeta, qofshin ato edhe fyerje, i kemi marrë si irelevante, të pavend dhe morbide. Ne jemi në truallin tonë, autokton, prandaj shprehje AUTOCHTHONOUS apsolutisht paraqet diçka që ka të bejë me realitetin tonë dhe se ky realitet dhe kjo autoktoni askujt nuk i ka sjellë dëm.
Dhe në fund, mirë do të ishte sikur vitin që kaloi ta mbanim mend për ndonjë ngjarje apo të arritur të veçantë në lëmin e artit, sportit apo në rrjedhat shoqërore, pastaj për ndonjë investim nga ato që paraljmërohen me vite, apo qoftë edhe për një fjalë të vetme të mbajtur nga ato të premtuarat e pushtetit, e që ka të bëjë me ndërrimin e statusit të Malësisë, por për fat të keq asgjë nga e gjithë kjo. Prandaj na mbetet që gjurmet e viteve t’i dallojmë vetëm në rrudhat tona.

Nikollë Camaj